Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim si masë sigurie për serbin e arrestuar ditën e djeshme në Kosovë, nën akuzën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit në çështjen penale hetimore të të pandehurit Z.A, i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ. Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”- thuhet në vendimin e publikuar.
Serbi i identifikuar si Zlatan Arsiq, 45 vjeç, u arrestua ditën e djeshme nga policia e Kosovës në pikën kufitare 'Dheu i Bardhë'. Ndërsa për këtë arrestim reagoi edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cili tha se Kosova nuk do të harrojë dhe nuk do të falë krimet e luftës që serbët kanë kryer ndaj popullsisë civile.

Komente

