Policia ka shpëtuar 2 turiste holandeze që kishin mbetur në Shpellën e Pëllumbasit në Tiranë.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se njëra prej turisteve kishte dëmtuar këmbën, pasi ishte rrëzuar gjatë ecjes në zonë.
Pas marrjes së telefonatës dhe lokalizimit të 2 turisteve, Policia i ka dhënë turistes së dëmtuar ndihmën e parë dhe më pas e transportuan drejt Spitalit të Traumës për trajtim mjekësor, ndërkohë që turistja tjetër u transportua në një zonë të sigurt.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Policia e Shtetit shpëton dy turiste holandeze që kishin mbetur në Shpellën e Pëllumbasit.
Pas marrjes së njoftimit se dy turistet kishin mbetur të bllokuara në zonën e “Shpellës së Pëllumbasit”, pasi njëra prej tyre kishte dëmtuar këmbën si pasojë e një rrëzimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, organizuan operacionin e kërkim-shpëtimit.
Pas lokalizimit në një terren të vështirë, shërbimet e Policisë bënë të mundur nxjerrjen e dy turisteve nga Holanda, të cilat hasën vështirësi gjatë eksplorimit të natyrës në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, në fshatin Pëllumbas.
Punonjësit e Policisë i dhanë ndihmën e parë turistes së dëmtuar dhe, në bashkëpunim me shërbimin e ambulancës, e transportuan në Spitalin e Traumës për trajtim mjekësor, ndërsa turistja tjetër u shoqërua në një zonë të sigurt.
Dy turistet nga Holanda falënderuan shërbimet e Policisë dhe strukturat mbështetëse për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe ndihmën e ofruar.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke i ftuar ata që për çdo problematikë apo situatë emergjente të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
Komente








