Avokati Maks Haxhia ka takuar Ergys Agasin vetëm disa orë pasi u transferua te Blloku i Sigurisë. Pas takimit Haxhia tha në një prononcim për mediat se ata kanë kërkuar dosjen, por sipas tij deri tani nuk kanë marrë asgjë.
"Ky është një takim i parë dhe përgatitemi për procesin që është në ditët e afërta lidhur me kushtet e arrestimit. Ne duam dosjen, sepse është e turpshme që edhe pas kaq kohësh që e kemi kërkuar, kjo nuk ka ndodhur Na është mohuar një e drejtë. Pa dosjen nuk ngremë dot pretendimet. Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkesë juridike pasi nuk ka prekur financat publike pasi nuk ka mbajtur funksione të autoriteteve që menaxhojnë financat publike, as lidhur me tenderat", tha Haxhia.
Teksa u pyet nëse Ergys Agasi është i pafajshëm, përse nuk është dorëzuar më herët, avokati tha se në vendit tonë fillimisht të fusin në burg dhe më pas të nisin me akuzat.
“Problemi është që në Shqipëri të fusin në burg, pastaj nisin me akuzat. E di atë historinë, ta presin këmbën e pastaj ta numërojnë që nëse ke apo jo dy këmbë. Duhet të jetë e kundërta, duhet të bëjnë hetime, të gjejnë prova dhe më pas të kërkohet masë e përshtatshme”, u shpreh avokati Haxhia, teksa shtoi se seanca për masën e sigurisë mund të mbahet pasnesër.
Agasi u arrestua një ditë më parë në zonën e Plepave, Durrës pas tetë muajsh në arrati.
Lajmi kryesor:
DOSJA AKSHI/ U arrestua pas 8 muajsh arrati, Ergys Agasi mbahet te Blloku i Sigurisë! FOTO nga operacioni, momenti kur rrethohet nga 'Operacionalja' dhe 'Shqiponjat'










