Prej më shumë se dy vitesh, autoritetet shqiptare kishin vënë nën monitorim lëvizjet e Ervin Matës në disa vende të Amerikës Latine. Në çastin e arrestimit nga policia braziliane, atij iu sekuestruan disa dokumente të falsifikuara. Sipas burimeve, Mata mbante një pasaportë bullgare false, e cila kishte skaduar në vitin 2024. Po ashtu, iu gjet edhe një kartë identiteti bullgare, e vlefshme deri në vitin 2029, gjithashtu e falsifikuar. Ndërkohë, ai posedonte edhe një kartë identiteti të Paraguajit, ku si vendlindje figuronte Mbretëria e Bashkuar. Ky dokument dyshohet se përdorej kryesisht për lëvizjet e tij në disa shtete të Amerikës Latine.
Mata është arrestuar bashkë me disa persona të tjerë. Ai dyshohet se kishte krijuar bazë lëvizjeje mes Paraguajit dhe Brazilit. Burime bëjnë me dije se Mata shoqërohej me persona nga grupe kriminale paraguajane, çka ka ngritur dyshime për lidhje të forta me rrjete të trafikut atje. Sipas të dhënave, ka shumë mundësi që ai të ketë jetuar për një periudhë në Paraguaj, ose të paktën të ketë lëvizur vazhdimisht mes dy vendeve, pasi rezultojnë hyrje-dalje të shumta. Në bazë të fotografisë së dërguar nga autoritetet braziliane, Interpol konfirmoi identitetin e tij, duke zbuluar se kishte hyrë në Brazil, ku më pas edhe u arrestua. Hetuesit dyshojnë se Mata shoqërohej gjithashtu me shtetas shqiptarë, të cilët i mbante pranë për aktivitete kriminale.
Në vitin 2023 Mata u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit kriminal prej 11 personash, mes tyre djali i Erzen Breçanit. Ky grup kriminal dyshohet për trafikimin e kilogramëve me kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Ai akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, episod i ndodhur në fund të shtatorit të 2020-ës.
Tre vite më parë, GJKKO caktoi ndaj Ervin Matës, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjithashtu hetime janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme, të ndodhura në Shqipëri. Grupi kriminal ku ai bënte pjesë, dyshohet edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipërisë si dhe raste të pastrimit të parave.
Mata është i njohur për drejtësinë edhe pas përplasjes me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018. Asokohe, pati një sherr mes anëtarëve të dy grupeve rivale, konflikt që përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës.

Ervin Mata
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










