Është zbardhur dëshmia e ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, e cila u arrestua për vjedhjen e 700 mijë eurove në këtë filial.

Mataj deklaroi se pasi mori detyrën si drejtoreshë e Filialit të Postës Durrës, në fund të vitit 2025, ka ndjekur mënyrën e funksionimit të filialit dhe ka nxjerrë disa urdhra të brendshëm për forcimin e kontrollit mbi arkën, faturat dhe lëvizjen e vlerave monetare. Sipas saj, këto masa u kundërshtuan nga shefja e financës Valbona Duni, e cila ka debatuar lidhur me kontrollin e faturave dhe praninë e specialistit të sigurisë. Mataj tha gjithashtu se shefja e Financës, Valbona Duni, kryente transportin e parave nga banka, pa shoqërues dhe pa automjet të blinduar.

Ajo deklaron se, pas shqetësimeve për mënyrën e funksionimit të financës, ka kërkuar kontroll nga strukturat qendrore të Postës Shqiptare. Pas kontrollit dhe relacionit të grupit të punës, ajo ka propozuar masa disiplinore dhe lëvizje për disa punonjës, përfshirë Paola Danën dhe Luljeta Zelën, ndërsa për Valbona Dunin nuk ka propozuar lëvizje pasi ishte me leje dhe nuk donte të linte filialin pa drejtues të financës.

Më tej, ajo deklaron se ka dërguar përsëri propozime për lëvizjen e punonjësve dhe se më pas Valbona Duni ka dhënë dorëheqjen për arsye shëndetësore. Pas kësaj, duke pasur dyshime për mënyrën e dorëzimit të detyrës së financës, ka kërkuar informacion nga strukturat drejtuese të Postës Shqiptare lidhur me procedurën e marrjes në dorëzim të financës.

Dëshmia e plotë e drejtoreshës Elisabeta Mataj:

"...Prej muajit Nëntor 2025 deri në datë 14.07.2026 unë kam qenë drejtoreshë e filialit të Postës Durrës. Pasi kam marrë detyrën si drejtoreshë e këtij filiali, rreth fundit të muajit Tetor 2025, kam ndjekur dinamikën e punës dhe ka qenë hera e parë që punoja pranë këtij institucioni.

Në datë 26.02.2026 kam bërë një urdhër të brendshëm dhe kam urdhëruar që faturat, pasi të printohen dhe dalin nga ana e arkëtares, do të riciklohen nga Specialisti i Cilësisë dhe Standardeve, si dhe çdo hyrje e dalje e vlerave monetare do të monitorohet nga specialisti i sigurisë. Hyrjet në arkën e filialit dhe dhomën e sigurisë do të bëhen vetëm nga personat e autorizuar.

Shefja e financës, Valbona Duni, pasi ka parë këtë urdhër, ka debatuar me shefin e sigurisë, Minur Kodra, dhe i ka thënë se nuk ke të drejtë të kontrollosh faturat dhe të jesh prezent. Më parë shtetasja Valbona Duni ka debatuar me mua dhe më ka thënë: "Shefe finance jam unë dhe nuk e ke idenë se si punohet."

Pas debateve, në muajin Shkurt, në datë 02.03.2026 kam bërë një urdhër të brendshëm, ku në ambientet e arkës nuk duhet të hyjnë persona të paautorizuar nga titullari i institucionit.

Në datë 03.03.2026 jam paraqitur në Zyrën Qendrore Tiranë dhe kam kontaktuar me Administratorin, duke ngritur shqetësimin pasi diçka nuk shkonte te financa e Postës Durrës dhe i kam kërkuar grup kontrolli.

Pasi ka ardhur kontrolli, menjëherë po atë ditë, në datë 05.03.2026, unë i kam dërguar me e-mail, nga posta ime, shtetases Jerina Shkreli, pjesë e grupit të kontrollit të arkës, ku i kam thënë se: ‘Nga verifikimet që kam bërë, na rezulton se shtetaset Paola Dana dhe Valbona Duni nuk respektojnë rregulloret e institucionit. Shtetasja Valbona Duni bën tërheqjen e lekëve pranë BKT Bank pa mjet të blinduar dhe pa shoqërues, duke mos respektuar rregulloren e transfertave monetare, duke i marrë lekët me makinë personale.’

Në datë 10.03.2026, me nr. prot. 170/6 Prot., ka ardhur relacioni nga Drejtoria e Tiranës me rekomandimet përkatëse dhe ato janë përshkruar me hollësi aty. Këtë relacion e kam cikluar pasi ma ka sjellë shefja e Burimeve Njerëzore Durrës, e cila e ka për detyrë të njohë Valbonën dhe Paolën, si dhe personelin e përmendur në të, dhe të marrin detyrimet që janë në të.

Kompetenca për lëvizje të administratës është kompetencë e Administratorit të Postës Shqiptare dhe lëvizjet, në bazë të rregullores dhe ligjit, duhet t'i bënte Administratori.

Në bazë të këtij relacioni që më paraqitën mua, unë i jam përgjigjur relacionit me shkresat nr. 114/1 dhe 114/2 prot., datë 12.03.2026 dhe 13.03.2026, dhe i kam propozuar për masë disiplinore për shkeljet e punonjësve të përshkruara në relacion shtetasen Paola Dana dhe shtetasen Luljeta Zela, si dhe propozim për lëvizje dhe ndryshim vendi pune, kurse për shtetasen Valbona Duni nuk i kam propozuar lëvizje, pasi ishte me leje jashtë shtetit dhe nuk e lija filialin pa financë.

Më pas më ka ardhur një përgjigje me shkresë nr. 589/1 prot., datë 03.04.2026, ku thuhet se nuk i jam përmbajtur relacionit të grupit të punës mbi kontrollin e kryer në filialin e Durrës-Shijak mbi propozimet e nisura nga Tirana për lëvizjen e punonjësve të mësipërm.

Në datë 23.06.2026 i kam nisur propozimet përsëri për lëvizjen e Paola Danës, pasi Luljeta kishte dhënë dorëheqjen pasi iku auditi, ndërsa për Valbona Dunin jemi në pritje të rekrutimit të elementeve të rinj, pasi ishte problem lënia e vendit bosh, për të cilën nuk më kanë kthyer përgjigje akoma edhe sot.

Në datë 03.07.2026 shefja e financës, Valbona Duni, ka dhënë dorëheqjen me motivacion: "Për arsye shëndetësore jap dorëheqje", për të cilën nuk kam dijeni dhe nuk jam njoftuar nga Burimet Njerëzore. Shpresa, mbiemrin nuk ia kujtoj, pasi unë atë ditë kam qenë me dhimbje koke dhe kam shkuar me vonesë në punë, dhe Valbona e kishte dhënë dorëheqjen.

Kjo datë përkon me të njëjtën ditë që është mbyllur relacioni i auditit në Tiranë.

Ndërkohë që shefja e financës, Valbona, ka kërkuar verbalisht që, si llogaritare e parë, të propozoja një punonjëse të sportelit, Alba Biçak. Kjo gjë ka ndodhur para se të japë dorëheqjen.

Unë ia kam nisur propozimin Tiranës për këtë shtetase dhe, pasi u sigurua që u nis propozimi i saj, shefja e financës ka dhënë dorëheqjen. Si datë nuk e kam fiksuar, por në fillim të muajit Korrik më ka sjellë faturat e muajit Maj, Edlira Perfundi 2026, të mandateve të tërheqjes së lekëve nga arka, të cilat filloi që t'i firmosë dhe i ndërpreva në momentin që kam marrë vesh që shefja e financës kishte dhënë dorëheqjen.

Pasi kam thirrur Valbonën, e kam pyetur përse po ikësh. Ajo më ka thënë se kishte probleme shëndetësore dhe më propozoi një punonjëse tjetër me emrin Rezi ta vendosim në vendin e saj, duke e asistuar kjo si fillim. Këtë bisedë e kemi bërë te zyra e shefes së Burimeve Njerëzore me emrin Shpresa.

Në këtë moment më kanë lindur dyshime pse do iknin të gjitha këto pas auditit dhe kam telefonuar shtetasen e cila është Këshilltare e Administratorit të Postës Shqiptare dhe shefe e komanduar e Drejtorisë Ekonomike dhe i kam thënë se si funksionon dorëzimi dhe marrja në dorëzim e punës së financës kur ka dhënë llogaritarja e parë dorëheqjen dhe ndërkohë jep dhe shefja e financës, dhe i thashë kush do ta marrë në dorëzim punën e financës.

Shtetasja Edlira Perfundi më ka thënë që punën e financës e merr drejtuesi i institucionit, që isha unë. Unë i kam thënë se nuk jam ekonomiste dhe doja një ekspert për marrjen e financës në dorëzim nga Tirana.

Pas këtij kontakti, në datë 09.07.2026 ka ardhur kontrolli i punës nga qendra dhe më ka marrë në telefon Edlira dhe më ka thënë se ishte te institucioni i postës për kontroll. Unë isha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku jam dhe anëtare, por ju vazhdoni deri sa të vij unë, i kam thënë në telefon.

Unë kam shkuar rreth drekës në punë, u takova me grupin e punës së kontrollit dhe pas përfundimit të kontrollit më kanë ardhur në zyrë dhe më thanë: "Kemi konstatuar shkelje, që mungojnë një sasi lekësh në vlerën 69 milionë", sipas procesverbalit të mbajtur nga ana e tyre.

Unë i kam thënë se nuk kam dijeni për lekët, pasi është përgjegjësi e financës dhe nuk kam pasur asnjëherë ankesa nga zyrat apo degët për mungesë fondesh.

Në procesverbalin e mbajtur prej tyre, ndër të tjera, është shënuar se për diferencën e munguar të 69 milionë lekëve janë pyetur shtetaset Valbona Duni dhe Paola Dana se nga kush janë tërhequr këto vlera të munguara dhe pretendimi i tyre është se janë tërhequr rregullisht sipas datave nga drejtoresha e filialit Durrës, zonja Elisabeta Mataj, dhe ky fakt nuk është pranuar prej saj.

Pasi janë larguar punonjësit e kontrollit, unë kam thirrur në zyrë punonjësen Paola Dana dhe i kam thënë se: "E ke lexuar procesverbalin?" dhe ajo më ka thënë se nuk e kishte lexuar, por e ka firmosur se ka menduar për gjendjen e arkës.

Më tha se po bënte një deklaratë me shkrim se me drejtoreshën kishte pasur marrëdhënie korrekte dhe nuk i kishte kërkuar marrjen e lekëve nga arka për zyrat e tjera, pasi çdo gjë ishte menaxhuar dhe kontrolluar nga shefja e financës.

Unë nuk e mbaj mend pse shefi i sigurisë me emrin Mynyr më ka ardhur në zyrë, ku kemi diskutuar për problemet e punës dhe më tha: ‘Po plotësoj dhe unë një deklaratë që unë nuk të kam parë ty me vlera monetare.’

Më pas, unë të nesërmen, në datë 10.07.2026, i kam dërguar një email degës Tiranë, Edlira Perfundi dhe Eljen Xhafës, ku i kam thënë se nga kontrolli i bërë në datë 04.07.2026, nëse rezultojnë shkelje financiare, të më njoftojnë në mënyrë që unë, si drejtuese e filialit Durrës, t'i drejtohem organeve të drejtësisë dhe ata nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje.


Lajmi kryesor:

Mbi 700 mijë € u vodhën në Postën e Durrësit, në burg ish-drejtoresha Mataj! Prokurori: Dyshohet se luante bixhoz! Paratë futeshin me thasë në zyrën e saj