Kanë dalë sot para Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e masave të sigurimit personal Elisabeta Mataj, ish-drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, shefja e financës Valbona Doni dhe arkëtarja Paola Dana, të cilat u arestuan nga policia pasi dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj. Seanca e parashikuar në orën 11:15, ka nisur vetëm pak momente më parë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti, ato kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Blutë bëjnë me dije se të treja akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Hetimi për këtë rast nisi pas denoncimit të bërë nga vetë Posta Shqiptare, e cila pas një kontrolli, konstatoi parregullsi në raportimet dhe administrimet financiare të konstatuara gjatë kontrollit të brendshëm.

lajm në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.