TIRANË-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka urdhëruar pezullimin e çertifikatës së ushtrimit të veprimtarisë përmbarimore të përmbaruesit gjyqësor Privat Martin Tusha, i cili u arrestua dje për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Ndaj Tushës, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke vendosur për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, në mungesë.

Nisur nga kjo, Manjani urdhëroi pezullimin e çertifikatës së ushtrimit të veprimtarisë përmbarimore Nr 44, datë 10/09/2010 të përmbaruesit gjyqësor privat Martin Tusha, për aq kohë sa janë në fuqi veprimet hetimore të procedimit penal në ngarkim të tij. Duke marrë shkas nga ky rast, ministri tërheq vëmendjen ndaj të gjithë shërbimit përmbarimor privat që të jenë korrekt në ushtrimin e funksionit të tyre, veçanërisht në rastet e titujve ekzekutiv, duke përdorur llogari të posaçme për zbatimin e tyre. Martin Tusha u arrestua një ditë më parë nga policia e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë, pasi dyshohet se i ka vjedhur 9 milionë lekë ish-klientit të tij me iniciale S.M.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)