Gjykata e Sarandës ka ndryshuar masat e sigurisë për 2 efektivët e Policisë të arrestuar 2 ditë më parë për skandalin me ‘Copacabana’, duke i lënë në ‘arrest shtëpie’.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se dy efektivët që janë lënë në ‘arrest shtëpie’ janë Kristofor Shkrepa dhe Kastriot Sotka. Më herët në ‘arrest shtëpie’ ishte lënë edhe punonjësi i Policisë Blerim Tafçiu.

Ndërkohë për pronarin e hotel ‘Oasis’, Alqi Papa, i arrestuar në të njëjtën ditë me efektivët e Policisë, Gjykata e Sarandës ka lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’.

Alqi Papa u arrestua pasi Prokuroria ka sekuestruar një kat të dyshuar të ngritur pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh ‘Oasis’ në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.

Arrestimi i 3 efektivëve të Policisë dhe pronarit të hotel ‘Oasis’ në datën 26 maj, erdhi pasi Prokuroria e Sarandës kishte lëshuar 12 masa sigurie pas hetimeve për ndërtimet pa leje, pas skandalit me beach-barin Copacabana (i cili ishte ndërtuar buzë detit pa leje dhe u shemb nga IKMT. Por njëri prej efektivëve të arrestuar, Blerim Tafçiu, u la meënjherë në ‘arrest shtëpie’.

Skandali me ‘Copacabana’ çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit të Policisë Sarandë, për shkak se kishin mbyllur sytë përballë paligjshmërisë në këmbim të ryshfeteve.

Masë sigurie është lëshuar dhe për pronarët e ‘Copacabana’ Arjola Dhrami Bajo dhe Xhaferr Bajo. Beach- bari ‘Copacabana’, që tashmë është shembur nga IMT.

Po ashtu, bashkë me pronarët e Copacabana, në kërkim rezultojnë edhe kreu i IMT-së së Sarandës, Eduart Veli dhe 3 punonjësit Ilia Gjika, Romelio Kadëna dhe Elvis Memushi.