Saranda nuk gjen qetësi pas skandalit të’ Copacabanës’ beach-barit që çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit. Mbrëmjen e djeshme, një aksion policor u zhvillua me urdhër të Prokurorisë së Sarandës kundër ndërtimeve pa leje në bregdet nga ku u lëshuan 12 masa sigurie, 4 prej të cilave të ekzekutuara deri më tani.
Në pranga kanë rënë 3 efektivët Kristofor Shkrepa e Kastriot Sotka, për të cilët është caktuar masa ‘arrest me burg’ si dhe Blerim Tafçiu në ‘arrest shtëpie’. Të gjithë akuzohen për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ të kryer më shumë se njëherë, njofton Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Në pranga ka rënë dhe pronari i hotel ‘Oasis’ Alqi Papa. Në këtë hotel, Prokuroria ka sekuestruar një kat i dyshuar i ngritur pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.
Masë sigurie është lëshuar dhe për pronarët e ‘Copacabana’ Arjola Dhrami Bajo dhe Xhaferr Bajo. Beach- bari ‘Copacabana’, që tashmë është shembur nga IMT, çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit të Sarandës për shkak se kishin mbyllur sytë përballë paligjshmërisë në këmbim të ryshfeteve.
Masë sigurie është lëshuar dhe për kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Eduart Veliu si dhe për efektivin Irakli Koçiaj.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ekzekuton vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, në kuadër të hetimeve që lidhen me operacionin e zhvilluar më 15 maj 2026 në qytetin e Sarandës.
Në zbatim të vendimit gjyqësor, u ushtruan kontrolle në banesat e tre punonjësve të policisë, të cilët janë zyrtarisht nën hetim për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë ekzekutuar këto masa sigurimi:
* “Arrest në shtëpi” për personin nën hetim Blerim Tafçiu, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë.
* “Arrest me burg” për personin nën hetim Kristofor Shkrepa, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë.
* “Arrest me burg” për personin nën hetim Kastriot Sotka, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë.
Lajmi në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











