Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për 9 të arrestuarit për kontrabandë mallrash nga aeroporti i Rinasit, mes tyre dhe 4 doganierë.
Bëhet fjalë për të arrestuarit Byordi Kasmi, Alkida Lazri, Qani Lazri, Lonora Legisi, Altin Legisi si dhe për 4 doganierët Baftjar Kazias, me detyrë Shef Sektori në Sektorin Operacional terminal Rinas; Theodhor Naçi, me detyre doganier në aeroportin e Rinasit me detyrën kontroll në skaner pranë kontrollit fizik; Muhamet Liçaj, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut; Edlira Saliaj, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut.
9 personat u arrestuan në operacionin e koduar "Rinas Ekspres", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.
Pas hetimeve të kryera më parë dhe informacioneve të grumbulluara u bë e mundur që tregtarët e sipërpërmendur të kapeshin në flagrancë në rrugën Rinas-Kashar, duke transportuar mallra kontrabandë, pasi kishin kaluar regjimin doganor të pikës kufitare Rinas, duke mos e deklaruar mallin dhe duke shmangur tërësisht detyrimet doganore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasi të konsiderueshme veshmbathjesh, këpucë, një sasi aparatesh celularë dhe tre automjete që transportonin mallrat kontrabandë.