Sa më shumë që po afrohet e premtja e 12 shtatorit, aq më shumë po ashpërsohet lufta për pushtet nga të dy krahët, Bllokut të bashkuar opozitar tashmë edhe me “Vetëvendosjen” dhe “Misionit të Ri”, të udhëhequr nga PDK-ja.
Kjo e fundit kësaj here e nxori kandidatin më të fuqishëm për kryetar të Kuvendit, Arsim Bajramin ndërsa Blloku opozitar i tri partive politike, LAN dhe “Vetëvendosje” garojnë me kandidatin e vjetër, Isa Mustafa.

Apriori dy kandidatët të duken si luftëtarë mitologjikë që do të ndeshen në një luftë shtizash, por në fakt kjo është një sfidë, më shumë e deputetëve dhe e opinionit, sesa e vetë kandidatëve.
Arsimi dhe Isa nuk do ta kenë mundësinë t’i matin forcat në Kuvend, pavarësisht se fuqia parlamentare matet me vota.

Kjo për faktin se Isës nuk do t’i vijë, të paktën jo në këtë seancë, sepse këtë ia ka pamundësuar Gjykata Kushtetuese, e cila primatin ia njeh PDK-së dhe Hashim Thaçit.
Në këtë rast, PDK do ta ketë mundësinë ta propozojë kandidatin e saj sa herë që ajo dëshiron, deri në infinit, sepse e ka të drejtën edhe Kushtetuese edhe teknike, duke marrë parasysh se seancën e drejton Flora Brovina, deputetja me kapitalin më të madh partiak.

Ky fakt u dëshmua më 17 korrik, kur Brovina ruajti me fanatizëm të drejtën e saj për ta drejtuar seancën konstituive, si deputetja më e vjetër e kësaj nomenklature.
Këtë mundësi ajo do ta përdorë edhe në këtë seancë dhe në të gjitha seancat tjera, derisa Blloku të lodhet dhe të kërkojë zgjedhje të jashtëzakonshme që aktualisht po i konvenon vetëm koalicionit më të madh, sipas Kushtetutës.

Ndërsa, pas marrëveshjes së djeshme ndërmjet LAN-it dhe “Vetëvendosjes”, Blloku i opozitës tashmë ka shumicën në Kuvend, sepse përveç votave të LAN-it, ka edhe ato të “Vetëvendosjes” që bashkërisht bëjnë 63 vota.
E kur këtij Blloku i bashkohen edhe deputetët e Listës “Srpska”, të cilët janë deklaruar se do ta mbështesin Mustafën, kjo nënkupton se opozita tashmë nuk është opozitë, por shumica dërmuese në Kuvend.

Nëse shihet procesi në këtë stad, duket shumë e thjeshtë, që Blloku dhe “Vetëvendosja” duhet t’i formojnë institucionet e reja, ndërsa PDK-ja të dalë në opozitë dhe të ristrukturohet deri në zgjedhjet e ardhshme.

Por, në substancë problemi, siç e thamë më lart, është më i madh, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e njeh koalicion paszgjedhor, ndërsa në anën tjetër kemi të bëjmë me deputetë shqiptarë, që më shumë ndikohen nga inatet sesa nga arsyet.
Kjo nënkupton se PDK-ja mund të shndërrohet në kamikaz, duke “e djegur” veten, por edhe të tjetër.
Sipas logjikës së inatit, si parti fituese në zgjedhjet e 8 qershorit, PDK-ja ndërmjet opozitës dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pranon këtë të fundit.

Pavarësisht se zgjedhjet e reja kanë kosto të lartë financiare e po ashtu reflektojnë negativisht në procesin diplomatik e ekonomik, prapë mund të konsiderohen si solucioni më i arsyeshëm për të dalë nga kriza.
PDK-ja tashmë po i preferon zgjedhjet, pavarësisht se ka shumë pak gjasa për ta qeverisur vendin edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, në këtë lojë Hashim Thaçi si lojtar i madh, mundohet të fitojë në “minutat shtesë të lojë”.
Ndërsa Blloku dhe “Vetëvendosja” janë në mëdyshje, duke hezituar të shkojnë bashkë në zgjedhje nga frika e shpërndarjes së elektoratit.

Prandaj, Blloku nuk i preferon zgjedhjet, por po kërkon nga PDK-ja që t’i shtjerrë të gjitha mundësitë që në fund atyre t’u vijë koha për formimin e institucioneve.
Mirëpo, duke i njohur tash e sa vjet, një është e qartë.

PDK-së kurrë nuk do t’i shteren mundësitë.
Andaj, të mos humbet kohë, por të shkohet në zgjedhje dhe të bëhemi vërtet “horë”.