Ish shefja e burimeve njerëzore e kompanisë amerikane “Astronomer”, e cila u pa në krah të shefit të saj Andy Byron gjatë një koncerti të grupit Coldplay, ka folur publikisht për herë të parë 6 muaj pasi videoja e momentit u bë virale në rrjetet sociale.
Në një intervistë për New York Times, Kristin Cabot, 53 vjeçe, tha se shfaqja e saj në ekranin gjigant të koncertit në Boston ia “shkatërroi jetën”. Klipi, që zgjati rreth 16 sekonda, u përhap me shpejtësi në rrjet, duke u parë miliona herë, ndërsa të dy u akuzuan për tradhti bashkëshortore.
Cabot sqaroi se ajo dhe Byron ishin ndarë miqësisht nga partnerët e tyre përkatës rreth një muaj para koncertit dhe se përqafimi ishte momenti i parë intim mes tyre. “Unë nuk jam personazh publik, jam thjesht një nënë nga New Hampshire,” tha ajo.
Asokohe, Cabot ishte drejtuese e Burimeve Njerëzore në “Astronomer”, ndërsa Byron mbante postin e CEO-s. Ajo ishte bashkuar me kompaninë në nëntor, për shkak të përvojës së saj në kompani të mëdha të industrisë së reklamës. Cabot e përshkroi Byron si një drejtues mbështetës, duke thënë se ishte hera e parë që punonte në një mjedis të dominuar nga meshkujt ku nuk ndjente se gjinia ishte pengesë.
Sipas saj, natën e koncertit ajo besonte se ishte plotësisht anonime mes dhjetëra mijëra spektatorëve. “Ishim ulur në pjesën e pasme të stadiumit, në errësirë të plotë. Papritur pashë veten në ekran”, tha ajo. Mendimi i saj i parë ishte për ish-bashkëshortin, Andrew, për të cilin më vonë mësoi se ndodhej gjithashtu në të njëjtin koncert, dhe më pas për faktin se burri pranë saj ishte shefi i saj.
Pas publikimit të videos, Cabot dhe Byron u larguan nga stadiumi dhe njoftuan bordin drejtues të kompanisë. Brenda pak orësh, videoja ishte shpërndarë gjerësisht në rrjet. Në orët e para të mëngjesit, ish-bashkëshorti i saj i dërgoi një pamje të klipit me mesazhin: “Mendoj se duhet ta dish që kjo është kudo”.
Cabot tha se reagimet në rrjet ishin kryesisht negative ndaj saj. “U shndërrova në meme dhe u quajta drejtoresha më e urryer e Burimeve Njerëzore”, tregoi ajo, duke shtuar se situata pati pasoja edhe për fëmijët e saj.
Kompania Astronomer nisi një hetim të brendshëm, pas të cilit Andy Byron dha dorëheqjen. Kompania deklaroi se nuk gjeti prova për një aferë, por arriti në konkluzionin se standardet e lidershipit nuk ishin përmbushur. Cabot dha dorëheqjen menjëherë pas kësaj.
Pas largimit nga kompania, ajo tha se ka pasur vështirësi për të gjetur punë dhe se shpesh është përballur me paragjykime profesionale. Aktualisht, Cabot ka angazhuar një këshilltar komunikimi dhe thotë se ka vendosur të flasë publikisht për të denoncuar pasojat e turpërimit në internet.
Komente







