Pasionin për pikturën Mikel Smaçi e zbuloi në moshën 65-vjeçare. Ajo që nisi si një hobi, me udhëzime të thjeshta për të pikturuar lule dhe peizazhe, shumë shpejt u kthye në një pasion të vërtetë, duke e çuar drejt eksplorimit të pikturës abstrakte, ku gjeti edhe stilin e tij artistik. Në më pak se dy vite krijimtari, ai ka realizuar qindra punime, një pjesë të të cilave ai i prezanton para publikut në ekspozitën e tij “Ngjyrat e krijimtarisë”.
“Kam pikturuar si një fëmijë i vogël pa ditur se ku do të dalë piktura. Më shumë ka drejtuar peneli dhe pastaj ka dalë diçka dhe kanë marrë jetë. Disa janë vizatime, shkarravina që kam bërë gjatë një mbledhjeje dhe këtë vit i kam kthyer në pikturë.”, tha piktori Mikel Smacci.
Për autorin, piktura nuk është thjesht teknikë, por mënyrë për të shprehur veten dhe për të gjetur lirinë përmes ngjyrave.
“Ekspozita e sotshme është një rast shumë i mirë për të kuptuar që në Lezhë ka një shkëputje nga tradita, nga mënyra e pikturimit që deri dje bëhej në Lezhë. Mikeli vjen me një zë të veçantë mjaft bashkëkohor, i qartë çfarë do të bëjë, duke sjellë një atmosferë pastaj piktorike që shikuesin e josh.”, tha piktori Pashk Përvathi.
“Këtu është tamam një dritare që pasqyron punët e tij dhe kemi mundësinë që të reflektojmë se çka ai bën, se çdo artist në fakt kur bën piktura, pasqyron shpirtin e tij. Këtu tregon shpirtin që ka paraqitur në telajon e pikturës.”, tha piktori Leonard Lesi.
“Mikeli me kohën ka zhvilluar dhe këtë aftësi të tij që edhe ne një pjesë e jona që e njihnim mire, nuk e dinim që e kishte. Mikeli është detajist dhe donte që gjithçka të ishte perfekt sot, të kishim mundësi sot të ndanim disa prej veprave që Mikeli ka realizuar, por në dijeninë time Mikeli ka shumë më shumë se kaq.”, tha drejtori i Kulturës në Bashkinë e Lezhës, Keler Sufja.
Ekspozita “Ngjyrat e Krijimtarisë” do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Arteve në Lezhë deri më 12 nëntor.









Komente
Komento