Një 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi nëpërmjet TikTok bënte thirrje për akte të dhunshme, përfshirë nxitjen për djegien e një automjeti të Policisë së Shtetit.
I riu i identifikuar si Devis Faruku i ndalua për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga një video e publikuar përmes një profili të rremë, i riu i maskuar dëgjohet të thotë se sot (1 maji) do të digjte makinën e Policisë 'Live', madje theksonte ta ndiqnin momentin e djegies.
Njoftimi i policisë:
Në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Antiterrorizëm Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës (Stacioni i Policisë Manzë), u kap dhe u shoqërua shtetasi D. F., 24 vjeç, banues në lagjen Perimore, Sukth, Durrës, i cili në përfundim të veprimeve u ndalua për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në një prej videove, ky shtetas u bënte thirrje qytetarëve që të shikonin dhe të ndiqnin momentin e djegies së një makine të Policisë së Shtetit, duke promovuar publikisht një akt të rëndë dhune dhe duke tentuar të nxisë reagime të rrezikshme në publik.
Ndërkohë, Drejtoria e Antiterrorit po ndjek çështjen në vijimësi, duke ndjekur procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe duke vlerësuar ndikimin dhe rrezikshmërinë e mesazheve të shpërndara në rrjet.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në parandalimin e përhapjes së përmbajtjeve të dhunshme dhe në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe ndjekje ligjore ndaj çdo akti që cenon sigurinë dhe rendin publik.











Komente
Komento