Katër ditë pasi ndjeu një shqetësim në kofshën e djathtë dhe la grumbullimin me Kombëtaren, Ernest Muçi ka kaluar dhimbjet dhe është gati për klubin turk të Trabzonsporit. Këta të fundit presin në shtëpi kryesuesit e Galatasarayt për raundin e 28-të në Superligën turke të futbollit, ndaj medietTurqi bëjnë me dije se Muçi i ka kërkuar trajnerit Fatih Tekke që të jetë në fushë me çdo kusht.

"Do të luaj në derbi sido që të ndodhë. Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Do t'i mbështes shokët e mi të ekipit në fushë", mësohet të ketë thënë shqiptari përpara stafit teknik dhe mjekëve të ekipit.

Ernest Muçi mori pjesë në stërvitje e djeshme dhe shanset e yllit shqiptar për të luajtur në derbi janë rritur. 13 gola dhe 8 asiste ka regjistruar Muçi në 35 ndeshjet e këtij sezoni me Trabzonsporin, ndërsa të shtunën në orën 19:00 pritet në fushë kundër Galatasarayt.