Dashamir Xhepa i cili vrau për motive xhelozie kunatën, ka kërkuar që t’i hiqet dënimi ‘burgim i përjeshtëm’, por Gjykata e Apelit ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke e lënë në burg.
Gjykata e Tiranës dënoi në janar të këtij viti me burg për jetë Dashamir Xhepën, i cili më 14 shkurt të 2019 vrau kunatën e tij, Lirie Xhepa dhe më pas trupin e pajetë e hodhi në ferra. Trupa gjykuese pranoi kërkesën e prokurorisë që Xhepa të mbyllej në qeli përjetë për krimin e bërë.
Bëhet fjalë për ngjarjen që tronditi opinion publik më 14 shkurt të një viti më parë. Xhepa, pas vdekjes së vëllait vrau kunatën e tij, nënë me katër fëmijë, për konflikte me pronat dhe se sipas tij “Lirie Xhepa i kishte ulur reputacionit familjes”.
‘Kishim konflikte për pronat pas ndarjes nga jeta të vëllait tim, na kishte ulur reputacionin e familjes duke krijuar marrëdhënie intime me të tjerë në fshat ndaj e vrara’-ka deklaruar më herët Dashamir Xhepa, para gjykatës.
Xhepa u arrestua 13 ditë pas vrasjes së kryer, në një hotel në Peshkopi, ndërsa efektivët e policisë ishin kamufluar si klientë. Gruaja 49-vjeçare, Lirie Xhepa nëna e 4 fëmijëve, u gjet e pajetë pranë kodrave të liqenit të Sharrës.