Nën masa të rrepta sigurie, në Gjykatën e Apelit u mbajt seanca për portugezin Ruben Saraiva, i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ardjan Nikulaj në lokalin e tij më 19 prill 2023. Në sallë ishin të pranishëm edhe familjarë të Nikulajt, ndaj për të shmangur ccdo incident, gjykata kërkoi përforcime me dy efektivë policie në sallën e gjyqit.
Avokati Kujtim Cakrani pretendoi se në fazën e parë të gjykimit, klientit të tij nuk i ishte paraqitur asnjë akt procedural në gjuhën që ai kupton, në anglisht apo portugalisht, ndaj sipas tij i janë cenuar të gjitha të drejtat. Cakrani pretendoi se nuk është lejuar nga Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve që së bashku me përkthyesin të takonte klientin e tij. Edhe vetë Saraiva pohoi se gjatë procesit në Lezhë, nuk kishte kuptuar asnjë fjalë në shqip dhe se hetimet ishin shtyrë pa qenë i pranishëm avokati.
Pas kërkesës së palës mbrojtëse, Gjykata vendosi që të pandehurit t’i garantohen si vendimi i shkallës së parë në Lezhë ashtu edhe ankimimi i dënimit në gjuhët që Rubens Saraiva flet, shërbim që do t’i ofrohet nga një përkthyes, në seancën e ardhshme që do të mbahet më 10 nëntor. Një kërkesë e tillë nuk ishte artikuluar më parë nga pala mbrojtëse, ndaj Gjykata e Apelit vendosi t’i pezullojë afatet e paraburgimit.
Saraiva është dënuar nga Gjykata e Lezhës me burg përjetë për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, gjykata supreme në Angli do të shqyrtojë vitin e ardhshëm kërkesën e palës shqiptare për të ekstraduar 5 të dyshuarit si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Dyshohet se vrasja e biznesmenit është pasojë e një hakmarrjeje të gjatë dhe gjakmarrjes me fisin Lekstakaj, një konflikt që ka nisur që nga viti 1996-1997 dhe ka shkaktuar disa viktima mes dy fiseve.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento