Gjykata Kushtetuese ka rregjistruar ankimimin e ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji, i cili kërkon shfuqizimin e tre vendimeve të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë, Apeli dhe Gjykata e Lartë. Kërkesa është regjistruar më datë 5 nëntor ndërsa relatore është zgjedhur Marjana Semini.

Gjyqtarja pritet që në ditët në vijim të caktojë edhe datën se kur do të vendoset nëse kërkesa do të kalojë ose jo për shqyrtim në seancë. Salianji e kishte paralajmëruar më herët ankimimin në Kushtetuese ndërsa kërkon shfuqizimin e vendimit si të papajtueshëm me Kushtetutën.

“Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr.00-2025-421, datë 11.03.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; nr. 2059/30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe nr.2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Marjana Semini relatore”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Salianji u lirua nga qelia më 8 korrik pas 9 muajsh në burg. Me dënimin me 1 vit burg, Ervin Salianji humbi mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, ku ishte zgjedhur në zgjedhjet e 2017-s dhe 2021-shit për 2 legjislatura. Sipas ligjit të dekriminalizimit ai nuk mund të zgjidhet në funksione publike për të paktën 5 vite pas mbylljes së dënimit, pra deri në vitin 2030 kur konsiderohet i rehabilituar.