Prona e dëmshpërblyer dy herë/ Shpallet i pafajshëm për akuzën e vjedhjes Ilir Thana, shuhet arresti për përmbaruesin Alban Ruli

Prona e dëmshpërblyer dy herë/ Shpallet i pafajshëm për akuzën e vjedhjes Ilir Thana, shuhet arresti për përmbaruesin Alban Ruli

Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga qelia shtetasin Ilir Thana si dhe ka shuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për përmbaruesin privat Alban Ruli të cilët u gjykuan në lidhje me dosjen në të cilën u përfshinë edhe dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Financave. Thana u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm për akuzën e vjedhjes, për të cilën u dënua me pesë vite burg nga shkalla e parë. 

Prokuroria akuzoi Thanën për vjedhje pasi kishte përfituar padrejtësisht duke përfituar kompensim financiar për pronën e cila ishte kompensuar në '92 nga ana e shtetit dhe për pengim të zbatimin të gjykatave. Për këto akuza Gjykata e Shkallës së parë e dënoi në dhjetor të vitit të kaluar me 5 vite burgim dhe me 1 vit e 9 muaj burg u dënua përmbaruesi. Apeli e shpalli të pafajshëm Thanën ndërsa e gjeti fajtor për pengim të zbatimit të vendimit të gjykatave duke e dënuar me 2 muaj. Për shkak se dënimi quhet i kryer gjykata urdhëroi lirimin e tij.

"Në lidhje me të pandehurin I. Th. Gjykata vendosi - Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit I. Th për kryerjen e veprës penale të "Vjedhjes", parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal. - Deklarimin fajtor të të pandehurit I. Th për kryerjen e veprës penale "Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës", parashikuar nga neni 320 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim. - Në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit I. Th i zbritet 1/3 e dënimit duke u dënuar me 2 (dy) muaj burgim.  - Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I. Th nga institucioni i paraburgimit ku ai ndodhet, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër. - Në zbatim të nenit 190 shkronja ç të Kodit të Procedurës Penale, shuma prej 1.859.920 (një milion e tetëqind e pesëdhjetë e nëntëmijë e nëntëqind e njëzet) Lekë, e sekuestruar me procesverbalin datë 15.12.2022, në llogarinë e shtetases Sh. P dhe shuma prej 21.109.384 (njëzet e një milionë e njëqind e nëntëmijë e treqind e tetëdhjetë e katër) Lekë, e sekuestruar me procesverbalin datë 15.12.2022, në llogarinë qëllimore të përmbaruesit A. R për kreditorin I. Th, të ruhen derisa të zgjidhet nga gjykata civile konflikti i ngritur për pronësinë e tyre.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm më datë 29.02.2024, ka vendosur: “Shuarjen e masës së sigurimit "arrest në shtëpi" të caktuar për Alban Rulin  me vendimin Nr. 9, datë 02.02.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shkak se e ka vuajtur dënimin e dhënë me vendimin Nr.3006, date 15.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Pergjithshëm Tiranë”, thuhet në vendim.

Skema 

Gjithçka lidhet me një kontratë blerje të firmosur mes Ilir Thanës, i arrestuar në dhjetor 2022, dhe Drejtorisë së  Shërbimit Qeveritar për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992. Pas vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm. Ndaj Ilir Thanos u kthye shuma prej 103.046 lekësh me të cilën ky shtetas kishte blerë objektin e magazinës. Ministria e Financave transferoi në llogarinë e Ilir Thanës shumën prej 284.139, sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.

Më tej, Ilir Thana i është drejtuar Zyrës Përmbarimore e cila në kundërshtim flagrant me ligjin  ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke trajtuar si ish pronar Ilir Thanën në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Ilir Thanës ishte në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro. Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën prej 48.118.366 lekësh. 

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi