Pas arrestimit sot pasdite në Mitrovicë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u mor në pyetje në Prishtinë dhe më pas u deportua në Serbi. Në bisedë me gazetarin e RTS-it, Gjuriç është shprehur se ndjehet keq.

Arrestimi i Gjuriç shkaktoi një seri reagimesh dhe deklaratash të forta nga Kosova dhe Serbia, ndërkohë që për të ç’tensionuar situatën Shefja e Politikës së Jashtme Mogerini ka biseduar në telefon me Thaçin dhe Vuçiç. Lista Serbe ka miratuar vendimin për largimin nga Qeveria e Kosovës.

“Kjo është një ditë e rëndë për serbët në Kosovë në të cilën është parë më së miri fytyra e institucioneve të Kosovës. Në mënyrë brutale, me plumba në tytë, me shok-bomba dhe me goditje brutale mbi gratë dhe burrat janë sulmuar dhe rrahur përfaqësuesit legal të popullit serb, ministra, drejtorë të zyrave, deputetë dhe kryetarë komunash”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.