KUÇOVË- Kujtim Brisku u përcoll në banesën e fundit duke lënë pas dhimbje tek familjarët, bashkëshortja dhe djali i vetëm. 54-vjeçari kishte hyrë për të vjedhur pulat në kotecin e fqinjit, por u rrah për vdekje nga pronari. Teksa rrëfen ngjarjen për Report TV, i vëllai Sheme Brisku, tha se Kujtimi mund të ishte dënuar për krimin por jo të rrihej për vdekje.

“Në kokë e trup ishte goditur ne nuk na lanë të hynim në spital vetëm kunatën. Sa ishte tek Trauma nuk reagoi. Diçka më pikëllon në hidhërimin tim të kishin njoftuar policinë. Vjen ambulanca e merr dhe policia nuk di gjë, presim të bëhen procedurat e spitalit autopësia drejtësia e dua se nuk ishte një sheleg (qengj) por njeri dhe pse ta dëmtojmë në mënyrë barbare?”- tha i vwllai i tij.

Sheme Brisku me tej sqaron se se i vëllai punonte në një firmë ndërtimi dhe nuk kishte probleme ekonomike. Sipas tij, vjedhjen tek fqinjet mund ta ketë kryer në gjendje të pavetëdijshme, pasi natën e ngjarjes ka qenë në një festë dhe ka konsumuar alkool. Viktima gjithashtu vuante nga diabeti, sëmundje për të cilën kurohej. Sheme Brisku kërkon që të policia dhe prokuroria e Beratit të zbardhin ngjarjen dhe të dënojnë autorin.

“Ka qenë në ditëlindje me shoqërinë dhe mbase ka qenë në gjendje të dehur, ndoshta ka qenë i dehur, nuk e di. Edhe këta të kishin njoftuar policinë, pse e dëmtuan kaq shumë sa të humbasë jetën?! Ligjet e shtetit janë të rregullta të dënohej jo të vritej edhe kriminelin e kap shteti e dënon s’ka pse të vrasin. Një të dehur e rrëzon pse e torutuar këtu jam i indinjuar! Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi ne s’jemi nga ata që hakmerremi. Ata që e kanë dëmtuar, mbase e manipulojë, ekspertiza të nxjerrë shkakun, goditjet që i janë bërë. Diabetin e ka pasur dhe kurohej një i dehur një të shtyrë rrëzohej pse duhej të përdorej dhuna kaq shumë”.- u shpreh Brisku.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e 26 shkurtit në lagjen 11 janari të Kuçovës, kur 54 vjeçari Kujtim Brisku tentoi të hynte në pronën e familjes Shushari për të vjedhur dy pula. Ai është pikasur nga Bjorsi Shushari i cili e ka dhunuar brutalisht me grushte e sende të forta, duke i shkaktuar fraktura të shumta në kokë e trup. Brisku ndërroi jetë të shtunën e 4 Marsit në spitalin e Traumës, ndërsa policia ka vënë në pranga 22 vjecarin Shushari, cili akuzohet për "Vrasje në  kapërcim të kufijve të vetëmbrojtjes”.