Gjykata Kushtetuese ka përgënjeshtruar kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili në një intervistë televizive 1 javë më parë u shpreh se në vendimmarrjen për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, votimi i parë gjyqtarëve ishte 4 pro dhe 4 kundër kërkesës së qeverisë, por ka qenë një nga anëtaret e trupës së gjyqtarëve që ka kërkuar të rivotojë, duke e çuar votimin 5 me 3 për rikthimin e numrit 2 të qeverisë.
“Zoti Berisha ka vlerësuar guximin e prokurorëve për disa çështje. Berisha foli për Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo që vendosi ajo ishte e paprecedentë, ka pezulluar vendimin e GJKKO, votimi atje doli 4 me 4, pra në favor të SPAK për pezullimin nga detyra. Por një nga gjyqtarët ka thënë ta rihedhim edhe njëherë në votim sepse e rimendova. Nuk ia di emrin dhe nuk merrem me emra konkretë, por mund të them se po ushtrohet presion i paprecedentë ndaj Kushtetueses. E kam denoncuar edhe te ndërkombëtarët presioni që po bëhej tek Kushtetuesja, e që solli pikërisht këtë situatë ku gjyqtari kërkoi rivotim edhe njëherë. Nuk e di nëse kjo është e paligjshme, por zoti Berisha për këtë foli, për presionin ndaj Kushtetueses dhe faktin e guximit që ka treguar prokuroria”, komentoi deputeti demokrat për këtë rast, ndërsa u pyet për qëndrimin e selisë blu ndaj drejtësisë",- ishte shprehur Bardhi.
Në reagimin e sotëm Gjykata Kushtetuese thotë se: Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta.
Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.
Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës Kushtetuese u rikthye në detyrë më 12 dhjetor. Me shumicë votash, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor për pezullimin nga detyra, duke lënë në fuqi vetëm ndalimin e daljes së saj jashtë shtetit. Gjykata ka vendosur të marrë në shqyrtim ankimin e kryeministrit Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra, pasi u mor e pandehur për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, si edhe po hetohet për shkelje në 10 tenderë të tjerë, përfshirë ato për 7 lotet e Unazës së Madhe.
Pas rikthimit në detyrë, Prokuroria e Posaçme iu drejtua Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e Ballukut. Mbledhja e parë e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, ( 5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Diskutimet u rrotulluan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete. Anëtarët e PD kërkuan që mbledhja të mbahej brenda 5 ditëve të javës së ardhshme, ndërsa pas 20 minutave pushim, drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi nuk dha një datë për thirrjen e seancës së radhës.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot pretendimet e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, se vendimi për rikthimin në detyrë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u imponua nga kryeministri Edi Rama.
Reagimi i Gazment Bardhit:
I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë.
Po ashtu, do të bënin mirë që të shkruanin po kaq gjatë sa sqarimi për publikun, edhe argumentet kushtetuese për pezullimin e një vendimi gjyqësor penal, me efekt individual, me kërkesë të një institucioni kushtetues, siç është Kryeministri!
Deri më sot, s’kanë dhënë asnjë argument kushtetues, përveç idiotësisë kushtetuese se lufta e sistemit të drejtësisë ndaj korrupsionit cënon interesat shtetërore më shumë se vetë korrupsioni qeveritar në një aferë 1.1 miliard euro.
Njësoj e domosdoshme për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese mbetet sqarimi për dy srandardet e ndjekura: se pse 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen për të kërkuar interpretim për masat ndaj një deputeti, ndërsa Kryeministri legjitimohet për të kërkuar interpretim për masat ndaj një ministri.
Kur t’i kenë sqaruar këto, mund të bëjnë edhe një deklaratë përgënjeshtruese ndaj vetes dhe presionit të jashtëzakonshëm që Kryeministri po ushtron për këtë çështje!
Dhe, pasi t’i kenë bërë të gjitha këto, ne të tjerët, s’do të kemi nevojë të dalim dhe t’u themi shqiptarëve një të vërtetë të madhe: që, përmes pengmarrjes së disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama po tenton të pengojë drejtësinë dhe të marrë në mbrojtje korrupsionin qeveritar.
Komente











Kur organi me i larte i drejtesise shqiptare pergenjeshtron kete moster politike qe u zgjodh nga listst e mbyllura ,kjo tregon se ne cfar niveli besimi kane shqiitaret per PD . Ne rrena dhe mashtrime duan te ngrejne shqiptaret ne protesta pa vendime te gjykatave.Lereni Skapin ( sic thote lideri Sali) te veproj dhe kush i ka hyr ne hak shqiptareve ta paguaj me burg fhe sekuestrim pasurie
PërgjigjuO Gazooo, po ajo puna e Strukturës së Ruajtjes së Votës në Elbasan si u bë, se u vra një Doktor aty, di gjë kush ishte Koomandanti ??.
Përgjigju