Një banor i fshatit Libofshë është vënë në pranga nga Policia Fier, pasi ndezi zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturina, por si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 22 hektarë tokë e mbjellë me bimësi dhe 500 pemë ulliri.

Në pranga ka rënë A. B., 62 vjeç, banues në fshatin Libofshë.

Mësohet se 62-vjeçari ka ndezur zjarr në tokën e vet, për të djegur disa mbeturina bimore dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur 20 hektarë tokë e mbjellë me bimësi, 2 hektarë tokë e mbjellë me drurë dhe 500 pemë ulliri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.