VLORE Kreu i Emergjencave Civile në Prefekturën e Vlorës, Robert  Skendaj , e ka cilësuar situatën e krijuar nga zjarri ne Himarë të vështirë. Për përballimin e flakëve u angazhuan të gjitha strukturat e qarkut të Vlorës, ndërsa në operacion u kërkua edhe ndihma e Forcave të Armatosura dhe ndërhyrja nga ajri, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.


Zjarri përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme dhe, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, rrezikoi banesa të tjera, si dhe disa njësi hoteliere.


“Tashmë, nga evidentimet paraprake të kryera në zonë, kemi të bëjmë me rreth 30–35 hektarë të djegura, 3 mijë rrënjë ullinj, shumica shekullorë dhe 6 banesa. Ndërkohë, në terren vijon puna për të përcaktuar edhe dëme të tjera të shkaktuara.”


Por zjarri në Himarë nuk ishte i vetmi episod problematik gjatë këtij sezoni në qarkun e Vlorës. Sipas Kreut të Emergjencave Civile në Prefekturë, vatra me përmasa të konsiderueshme janë regjistruar edhe në Vranisht, Kropisht dhe në zona të tjera të qarkut, duke shkaktuar dëme në pyje, bimësi dhe prona.

Situata këtë sezon ka qenë problematike. Përveç Himarës, zjarre me përmasa të konsiderueshme janë regjistruar edhe në Vranisht, Kropisht dhe në disa vatra të tjera. Për zjarrvënie të qëllimshme janë ndaluar disa persona dhe, në total, numri i të ndaluarve ka shkuar në pesë.”

Megjithatë, gjatë gjithë verës janë regjistruar disa vatra të tjera, të cilat kanë sjellë situata të vështira për banorët dhe strukturat e emergjencave, por edhe dëme në sipërfaqe pyjore, bimësi, ullinj dhe banesa. Inspektimet në terren vijojnë për të përcaktuar në mënyrë të plotë bilancin e dëmeve të shkaktuara nga zjarret.