Reparti operativ aeronaval i Barit ka bërë të mundur arrestimin e dy shtetasve shqiptarë D. E., 37 vjeç dhe S. J., 32 vjeç. Të dy të arrestuarit janë ndjekur për një distancë të gjatë në ujërat e Adriatikut dhe gjatë kohës që po mundoheshin të arratiseshin, sipas Guardia di Finanza, po mundoheshin të hidhnin në det një pjesë të drogës që kishin në bordin e gomones. Ndjekjes së gomones, përveçse motovedetave italiane, u janë bashkangjitur edhe helikopterë të Guardia di Finanza.
Gomonia e ndaluar, mbi 6 metra e gjatë, dhe e pajisur me një motorr potent, është shoqëruar drejt portit të Brindizit. Droga e sekuestruar, gati 507 kg, është e tipit marijuanë dhe mendohet se nëse do të arrinte tregun italian do t’u sillte trafikantëve një fitim prej gati 5 milionë eurosh.