U gjobit me 66 mln lekë nga Autoriteti i Konkurrencës, importuesi i plehrave kimike-Ramës: Një tymuese e hedhur në parlament po na çon drejt falimentimit! Braçe: Faktet e abuzimit i publikoj nesër në Kuvend

 

Roland Bramllari, kompania MBM shpk e të cilit që operon në tregun e importit të plehrave kimike u gjobit nga Autoriteti i Konkurrencës me 66 milion lekë, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të gjejë mekanizmat 'për t'i vënë fre tymueseve në parlament. Gjatë takimit të Ramës me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, Bramllari tha se këto 'tymues' po i çojnë drejt falimentimit dhe se nuk është kjo koha për të vënë stërkëmbësha.

"Të koordinohen të gjitha instrumentat, faktorët që ndikojnë. Një tymuese e hedhur në parlament, në tregun tonë na çon drejt dorëzimit. Çdo gjë ka limit. Gjeni mekanizmat, nuk është momenti sot për të ngritur stërkëmbësha. Shteti i ka instrumentat që pasi të kalojmë këtë situatë të na analizojë", tha ai.

Nga ana tjetër Rama iu përgjigj duke thënë se tymueset në parlament pritet të shtohen dhe se nuk ka mënyrë për t'i neutralizuar. Kryeministri pranoi se për çështjen e imputeve bujqësore, ka ende shumë problematika që duhen zgjidhur.

"Po më kërkove këtë, nuk e bëj dot. Tymueset në parlament pritet të shtohen. Unë nuk e kam gjetur dot e as nuk e kam parë ta gjejë njeri si mund të neutralizohen tymueset e parlamentit. Unë nuk hy te ata që mendojnë që në Shqipëria ka oligarkë. Është fjalë e futur për t'i krijuar qytetarëve idenë që këtu janë disa forca të errët aqë po na pinë gjakun. Oligarkë do të thotë njerëz të pasur që marrin vendime politike, por këtu nuk ka. Ne kemi vendosur taksën më të lartë në rajon për më të pasurit, për bizneset e mëdha. Ata që e sulmojnë biznesin e madh, as e kanë parasysh që biznesi i madh nuk është një person, sado i papëlqyeshëm të jetë. Për çështjen e imputeve, aty kemi shumë problematika, nuk është zonë e pastër, madje ka patur edhe problematika të rënda të individëve apo kompanive të caktuara. Me farërat ka patur problematika të rënda, pesticidet po ashtu dhe në këtë aspekt Ministria Bujqësisë ka ende shumë punë për të bërë për ta disiplinuar sektorin. Te çmimet, kur ureja e ka bazën më të madhe prodhuese në Ukrainë dhe Ukraina është nën bomba, është e vetëdijshme që çmimi i uresë do jetë jo normal. Oligarkë dhe kulakë jo, por heronj jo. Nëse ju jeni heronj unë nuk di pastaj se çfarë janë ata që punojnë tokë dhe që e nxjerrin djersën pa pushim realisht fizikisht", u përgjigj Rama.

Pas ankesës së importuesit të plehrave kimike, që indirekt i referohej kritikave të deputetit socialist Erion Braçe, ka reaguar ky i fundit duke thënë se se të gjithë do ta marrin përgjigjen me fakte të enjten në Kuvend. Braçe shprehej se tregu i plehrave kimike është shndërruar në një kartel kriminal, që po ndikon negativisht te bujq.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:12
E quajti deklaratën e Braçes një 'tymuese që po i çon drejt falimentit', deputeti i PS-së: Faktet e abuzimit i publikoj nesër në Kuvend

Pas ankesës së importuesit të plehrave kimike, që indirekt i referohej kritikave të deputetit socialist Erion Braçe, ka reaguar ky i fundit  duke thënë se se të gjithë do ta marrin përgjigjen me fakte të enjten.

'Qenkan nxehur fort tregtaret e plehrave kimike! Dje i degjova te levdonin ministrin e Bujqesise qe sipas tyre e paskan ne krahe dhe qe qenka me i informuari per tregun; Sot, sapo u ktheva nga puna ne Lushnje, atje ku eshte bujqesia, i degjova te flasin per tymuese qe po i coka ne faliment! Habi e madhe pasi u shoh bilancet, xhiron, fitimin e deklaruar! Nje pergjigje te ftohte e korrekte e morën nga kryeministri sy me sy! Neser ne mengjes, pergjigja ime per secilin me fakte dhe prova!'- shkruan Braçe.

/Sh.Sh/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ishulli i gjarpërinjve...!

Ishulli i gjarpërinjve...!