Kryeministri Edi Rama ka inspektuar rrugën provizore të aksit Librazhd-Prrenjas, e cila u hap pasi juglindja kishte mbetur e bllokuar prej 11 ditësh.
Ai shoqërohet nga ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kreu i ARRSH, Ami Kozeli, drejtuesi politik i PS për Elbasanin, Arbjan Mazniku dhe kryebashkiaku Gledian Llatja.
Ndërsa mësoi mbi detajet teknike të situatës së rrugës ku specialistët thanë se shembja erdhi si pasojë e mbingarkesës së shirave, kryeministri tha:
“Gjithë tollovia e madhe që u shemb rruga është një perversitet shumë i madh sepse këtu jemi në aksin e ri. Aksi i ri nuk është i ndërtuar këtu, gjurma është këtej nuk ka lidhje me atë atje. Kjo është një rrëshqitje e shkaktuar nga shirat”, u shpreh ai.
Karakaçi shpjegoi se kontrata parashikon edhe mbrojtjen lumore, Rama tha:
“Ajo që është kriminale në raport me publikun, kur ka zhurma të mëdha të kësaj natyre duhet të presësh të bjerë fryrja e madhe e një plage për të adresuar shkaqet se ndryshe s’të dëgjon njeri, një plagë e kësaj natyre ku mjafton të vish ta shohësh dhe kupton menjëherë se ku je dhe s’ka dorë njeriu që ta ketë shkaktuar, kthehet në burim helmimi të vazhdueshëm të opinionit publik. Këtu jemi në një nga kantieret më strategjike të vendit, një nga veprat më të rëndësishme të programit tonë, mbrojtja lumore është absolutisht e standardeve më të larta, por puna vazhdon dhe ndodhin të papritura. Në këtë rast është thjesht dhe vetëm natyrore, fatkeqësi që ndodh për shkak të ngarkesës. Ndjesë njerëzve që u mbytën me baltë e llum nga të gjitha drejtimet”, u shpreh kryeministri.
Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli sqaroi se brenda 10 ditëve u kryen punime në pellgje nënujore e ujëra sipërfaqësore.
“Përmes sondave, zbuluam ca pellgje nënujore, u morën masa për disiplinimin e tyre. Edhe për ujërat sipërfaqësore, më pas arritëm të çlironim trafikun”, tha ai..
Segmenti provizor prej 200-300 metrash dhe i paasfaltuar ndodhet në vendin e quajtur Arrat e Rrugës. Ai kalon përmes rrugës së vjetër të shembur e trasesë ku po punohej për Korridorin VIII dhe funksionon me sinjalistikë kantieri.
ARRSH ka thënë se rruga do të shtrohet kur të arrihet stabiliteti i shtresave të tokës. Qarkullimi në këtë devijim provizor do të kryhet derisa të ndërtohet rruga alternative 1.3 km. Kjo e fundit kërkon minimalisht 2 muaj kohë.
Kryeministri Edi Rama komentoi protestat e opozitës gjatë inspektimit të aksit provizor Librazhd-Prrenjas. Rama tha se nuk do të lejojnë që Shqipëria të bëjë hapa pas, ndërsa protestat e opozitës i quajti jashtëderdhje njerëzore në bulevard.
Sipas Ramës, qëllimi i opozitës me ato pocaqi protestash është vetëm të prodhojnë foto me zjarre e dhunë që të dalin nëpër botë dhe të thonë mos ejani në Shqipëri se ka korrupsion. Por, kryeministri theksoi se korrupsioni po luftohet më shumë se çdo herë tjetër.
“Ne kemi plot arsye për tu kritikuar, unë vet mendoj se jam socialisti më i pakënaqur dhe pakënaqësia te socialistët është virtyt. Por, përtej gjërave që nuk shkojnë, tërësia e gjërave flet vetë. Ne nuk kemi për ta lejuar të na ndodhë përsëri ajo që u ka ndodh shqiptarëve shumë herë në histori, kur i janë afruar momentit për të marrë kthesën e madhe, janë ngatërruar me këmbët e tyre për shkak të shqiptarëve. Më të egrit armiq të shqiptarëve, janë shqiptarët. Gjithë ato çfarë bëhet në ato pocaqi protesta, që janë si jashtëderdhje njerëzore në bulevard, bëhet vetëm për fotografitë që prodhohen nga zjarret dhe nga dhuna për tu çuar nëpër botë. Për të thënë kjo është Shqipëria, mësoi shkoni në Shqipëri, mos bëni tur, mos investoni, mos besoni tek Shqipëria, se është e zhytur në korrupsion. Si qenka Shqipëria e zhytur në korrupsion, kur po luftohet më shumë se çdo herë tjetër, po të shohësh faktet sot që flasin, edhe rastet që trajtohen dhe që janë trajtuar janë 85% raste që i përkasin mandatit të parë dhe të dytë, dhe në të gjitha ato rastet 10 janë me akuzën e korrupsionit, shumë më ndryshe e vërteta nga sa tregohet. Patjetër që kemi problem me korrupsionin, por a po e lufton tjetër kush në rajon, siç po e luftojmë ne, askush”, tha Rama.

Gjatë inspektimit të segmentit provizor Librazhd-Prrenjas, kryeministri Rama zhvilloi edhe një bisedë me banorët mbi shqetësimet e tyre. Një prej tyre tha se biznesi i saj (bujtinë) nuk po arrin të zgjerohet pasi i thuhet se ndërhyn në Parkun e Shebenikut, por ndodhet larg.
Rama tha se biznesi mund të zgjerohet falë Paketës së Maleve duke ndjekur e respektuar parametrat. Ndërsa banorja tha se nuk i nevojitet mbështetje shtesë, Rama u habit dhe tha se do ta dekoronte me medalje.
“Do të të jap medalje se je shqiptari i parë që njoh unë dhe thotë nuk dua mbështetje. Të të jap një medalje për këtë punë se nuk e kisha takuar shqiptarin e parë që thotë s’dua mbështetje. Po pyesja veten pse je ulur vetëm, por s’do asnjë mbështetje. Aplikimin direkt te Këshilli Kombëtar i Territorit dhe do të kujdesem personalisht që ta marrësh lejen bashkë me medaljen”, ia ktheu kryeministri.

Ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili shoqëron kryeministrin Rama në inspektimin e aksit provizor Librazhd-Prrenjas, u tha banorëve se janë marrë të gjitha masat për t’iu rikthyer normalitetit. Lidhur me Korridorin VIII, ai tha se 33 kilometra janë kontraktuar nga ARRSH dhe s’ka pasur ndalesa në punime, veç aksit Librazhd-Prrenjas.
“E di që ju është krijuar një shqetësim për disa ditë të vazhdueshme. Janë marrë të gjitha masat që gjërat të vijojnë normalisht. Korridori VIII që njohim ne sot, është 33 kilometra i kontraktuar nga ARRSH. Ka 8 faza dhe nuk ka pasur asnjë ndalesë në punimet normale. Qytetarët mund ta konstatojnë që janë shtruar shtresat asfaltike në njërën korsi dhe do të vijojë në anën tjetër. E vetmja ndalesë ka qenë në këtë aksin këtu dhe do të vazhdojë derisa të ndërtohet rruga sekondare 1.3 kilometra. Ky është një korridor i rëndësishëm për lëvizjen dhe zhvillimin ekonomik. Të gjitha segmentet e tjera po ecin sipas fazave të afateve kontraktore”, tha Karakaçi.

Lidhur me projektin e Korridorit VIII, kryeministri Rama tha para banorëve të zonës pranë aksit Librazhd-Prrenjas se nuk ishte i pranuar prej BE. Ai tha se arsyeja ishte që kjo do ta bënte të financueshëm nga fondet e BE dhe vetëm me këmbëngulje, u arrit të kuptohej rëndësia strategjike. Rama tha se ky projekt është tepër i madh për t’u zhytur në baltë.
“Korridori VIII ka qenë prej kohësh i kuptuar dhe i deklaruar strategjik por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor europian. Arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e BE e dëshironin këtë korridor dhe ka pasur gjithmonë refuzim nga ana e BE për ta përfshirë në korridoret europiane sepse përfshirja i jep një korridori vlerën si një aset i BE. Duke qenë aset i BE, bëhet i financueshëm nga fondet europiane ose që mund të merren nga organizatat financiare. Ka qenë puna, diplomacia jonë që në samitin e zhvilluar në Tiranë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor ky korridor u fut në rrjetin europian. Natyrisht që duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike e tij, por edhe rëndësia. Lidhja me portin e Durrësit garanton një aks tjetër të lëvizjes së mallrave, më të shpejtë, me kosto më të ulët. Paralelisht, korridori duhet të ndërtohet edhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas, në RMV e Bullgari. Përpjekja jonë për një krah ushtarak do ta bëjë edhe më të rëndësishëm dhe do të rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme vlerën e tij, pronës dhe impaktin ekonomik e social. Është vepër shumë e madhe për t’u zhytur në baltën e makinerisë që veç e prodhon”, tha Rama.

Ndërsa iu drejtua banorëve të zonës, kryeministri Rama hodhi poshtë fjalët se shembja e aksit Librazhd-Prrenjas erdhi prej aferave korruptive. Ai theksoi para tyre se bëhet fjalë për një fenomen natyror, ndërsa u shprehu keqardhjen për situatën.
“Plagë e hapur që ka shkaktuar një rrebesh balte të jashtëzakonshëm të prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike që ka tundur 700 tenxheret me gjithfarë shpifjesh, akuzash e fantazish se me demek, u shemb rruga nga korrupsioni ndërkohë që është shumë e qartë që segmenti është i vjetër dhe rrëshqitja lidhet me një fenomen tërësisht natyror. Shpejtësia e gënjeshtrës është bërë shumë më e madhe, ndërkohë që e vërteta është në vështirësi shumë të madhe për shkak të vorbullave dhe uraganëve të gënjeshtrave që vijnë nga të katra anët na pasqyrat e telefonave dhe kanalet e medias. E vërteta në fund gjithmonë del dhe fiton. Duhet vetëm durim dhe këmbëngulje për të vazhduar drejt. Më vjen keq që gjëja ka ndodhur, ka shkaktuar shumë shqetësime dhe ka prishur ritmin e jetës për shumë banorë, por jemi këtu për të vënë qetësi për një kalendar pune dhe afatet e reja që i kemi vënë vetes”, tha Rama.
Komente











