U hiqet imuniteti, Balla, Doshi
e Baraj: Te hetohet dhe Saliu

U hiqet imuniteti, Balla, Doshi<br />e Baraj: Te hetohet dhe Saliu
TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin tre deputetëve të Partisë Socialiste Taulant Balla, Besnik Baraj, Tom Doshi për tu vënë në dispozicion të prokurorisë në lidhje me hetimet për demonstratën e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Votimi u krye i fshehtë. Për Taulant Ballën 118 deputetë votuan pro, 8 kundër dhe 2 abstenim. Për Tom Doshin, 116 vota pro, 9 kundër, e 4 abstenim, për Besnik Baraj, 107 vota pro, 19 kundër e 3 abstenim. Para votimit të tre deputetët mbajtën fjalën e tyre para parlamentit, ku u shprehën pro heqjes së imunitetit dhe vënies në dispozicion të hetimeve për demonstratën e 21 janarit 2011, ndërsa kërkuan heqjen e imunitetit dhe përfshirjen në hetime të kryeministrit Berisha dhe të Ministrit Lulzim Basha si personat që dhanë urdhër për vrasjet.

Ora 11: 54 AHMETAJ: TI HIQET IMUNUTETI BERISHES E BASHES, NOKA: EDI RAMA ORGANIZATORI
Debati për 21 janarin, vazhdoi dhe pas votimit për heqjen e imunitetit  Arben Ahmetaj, deputet i PS-së tha se vrasjet janë bërë me urdhër të kryeministrit.
“I vranë kur protestuesit i kthyen kurrizin Berishës, dhe ai vret se është frikacak.” tha Ahmetaj
“I kërkoj Ina Ramës që të sjellë imunitetet e atyre që kanë urdhëruar vrasjet e 21 janarit. Sot Ndrea Prendi duhet të tregojë se ku e nga e ka marrë urdhrin.”- nënvizoi Ahmetaj.
Nga ana e tij deputetit PD Flamur Noka tha se organizatori dhe përgjegjësi është Edi Rama “i cili i çoi njerëzit mish për top para kryeministrisë. A i kishit thënë se çfarë përcakton ligjin nëse dhunohen institucionet?”
Sipas Nokës, më 21 janar, kryeministri u mbajt i izoluar për 5 orë dhe sulmoi kryeprokuren se “urdhëroi arrestiimin e mbrojtësve të ligjit, dhe nuk hetoi organizatorët”

Ora 11:00 BARAJ: ORGANIZATORET E 21 JANARIT JANE NE KRYEMINISTRI
Deputeti Besnik Baraj tha se ishte gati për tu vënë në dispozicion të prokurorisë, për të kontribuar me dëshminë e tij në hetimet për 21 janarin por nënvizoi se në këtë hetim duhen përfshirë dhe vetë kryeministri Berisha e ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
“Ata urdhëruan që të lëshohej gaz lotsjellës drejt të rinjve e të moshuarve, por dhe ndaj policisë së shtetit. Protestuesit nuk ishin të armatosur dhe nuk mbanin pistoleta stilolapsë, apo çadra me helm...Po supozoj që atyre 200 mijë njerëzve tu kisha thënë unë që shkoni përpara kryeministrisë e godisni policinë. Me këtë rast me të drejtë duhet të akuzohem e të shkojmë në prokurori.. por gardistët kanë vrarë. Rasti im është hipotetik ndërsa rasti i ministrit Basha është real, ata janë punëdhënësit e gardës ata duhej të vinin këtu e tu hiqej imuniteti

Ora 10: 59 DOSHI: BERISHA ME BEN SHANTAZH, TE LARGOHEM NGA POLITIKA
Deputeti i PS-së Tom Doshi tha se përfshirja e tij në listën e hetimeve është me urdhër të Berishës pasi nuk do që ai të merret me politikë.
“Sepse e kam mundur dy herë në Shkodër, ku ka kujtuar se i ka njerëzit kamikaze. Në Shkodër PD ka vetëm 1 deputet më shumë se PS. Ky është inati i Berishës. Ai do që unë të mos jem më në politikë. Ta harrojë se mund të më mposhtë me këto shantazhe. E vetmja fuqi që i druhem është zoti, ndërsa Berisha është frikacak” - tha Doshi.

Ai sqaroi në detaje se ku kishte qenë në demonstratën e 21 janarit. “Gjatë protestës më hodhën pranë këmbëve 2 granata gazlotsjellëse, dhe kur isha para dy kullave gjëndja ime u rëndua, u largova drejt Tajvanit, më pas u afrova sërish në bulevard. Një polic kam parë që hapi derën e kryeministrisë, dhe makina që u përlas me derën. Dëgjuam krisma armësh. Kolegët më thanë që janë manovër, por i thashë që janë ushtarak. Pas 5 minutash Gjok Jaku më tha se kanë vrarë Aleskin nga Lezha dhe një tjetër shkodran. Vajta te Spitali Ushtarak, për fat të mirë nuk kishte të vrarë nga Shkodra. Më pas morëm vesh kush ishin të vrarët. Një djalë erdhi dhe më tha se Mesila Dode ka thënë në tv që vrasjen e ka bërë Tom Doshi. E ke thanë apo se ke thanë se je mësu me var njerëzit te palma jote ti”- tha Doshi duke iu drejtuar Mesila Dodes.

Deputeti socialist nënvizoi se do të jetë në protestë derisa “Berisha të largohet nga Kryeministria “Është kriminel, është i pabesë”- tha Doshi duke shtuar se në demonstratën e 21 janarit “kam bërë çmos të qetësoj protesutesit për të mos goditur policët. Askush nuk ka ardhur në Tranë për të bërë dhunë, kanë pasur vetëm çadra, parulla e inat kundër Berishës.”

Duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit, pas 21 janarit, se Doshi donte të bëhej ministër i Brendshëm, ky i fundit u pëgjigj “As kam dashur as nuk dua të bëhem ndonjëherë minsitër”

Ora 10: 46 BALLA: UNE HEQ DORE NGA IMUNITETI HIQE DHE TI SALI
Deputeti Taulant Balla deklaroi se do të votojë pro heqjes së imunitetit të tij dhe të 2 kolegëve socialistë, dhe u kërkoi deputetëve të grupeve të tjera parlamentare të votojnë pro. “Votoni për heqjen e imunitetit, ne nuk na trembni. Ne nuk jemi si matrioshkat e tua politike dhe nuk u përngjajmë atyre që u mbulojnë figurat atyre që vjedhin miliona. Sali Berisha merre këtë letër mos na e kthe më kurrë, njerëzit e lirë i mbron liria. Jam shumë i ri të bëj llogari për tu mbrojtur nga një krimi që nuk kam bërë. Më vjen keq që nuk munda të shpëtojë 4 demonstruesit nga plumbat. Eja me mua Sali e hiq imunitetin”- tha Balla.

Mes fjalës së tij shtoi se ndihej mirë që ishte përfshirë në këtë listë të pjesshme për ti hapur rrugë hetimeve të 21 janarit, "në të kundërt do më duhej tu përgjigjja dhjetra miqve të mi se ku ndodhesha vetë. Do më pyeste dhe im bir. Nëpërmjet heqjes së imunitetit do kem krenarinë politike, të them, po, unë isha në bulevard, ndodhesha përballë zyrës së kryeministrit në përmbushje të detyrës për të denoncuar korrupsionin e keqeverisjen e Berishës”
"Do votoj për heqjen e imunietit tim parlamentar. Sepse si politikan e qytetar jam i hapur për të qenë në hetim për të bashkëpunuar me prokurorinë,
dhe për të deklaruar edhe një mijë herë unë do jem sërish në protestë. I vetmi ndryshim është se nuk do isha më pranë me Hekuranit, Ziverit, Aleksit e Faikut.. mes regjimit dhe viktimës nga plumbi i tij unë preferoj të jem ky i fundit."- shtoi Balla.

“Nga dimri e deri në verë policia kërkoi prova por nuk mundi të gjejë asgjë.- tha Balla duke akuzuar Sali Berishën si urdhëruesi i 4 vrasjeve- “Ai që një herë më tha në parlament do të vras, është ai që urdhëroi vrasjen dhe tani i bën presion prokurorisë”

Ora 10: 34 GUMI LEXON RELACIONIN
Viktor Gumi, relator i PD-së i Këshillit të Mandateve tha se ky këshill u shpreh njëzëri pro dhënies së autorizimit për ndjekje penale të 3 deputetëve. Meqë tre kërkesat ishin të vecanta, Këshilli ka prezantuar 3 relacione të vecanta.

HEQJA E IMUNITETIT
Pro heqjes së imunitetit u deklarua grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Këtë të martë, (31 janar) kreu i PS-së Edi Rama tha se do deputetët do të votonin pro heqjes së imunitetit dhe se do të mbështesnin kryeprokuroren Ina Rama pa kushte.
Më 27 janar, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit autorizoi Prokurorinë e Përgjithshme për ndjeke penale ndaj tre deputetëve lidhur me rolin e tyre në protestën e 21 janarit 2011 ku mbetën të vrarë 4 demonstrues.
Më 23 janar Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në kryesinë e Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë për të bërë të mundur sqarimin plotësisht të pozicioneve të tyre në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse