Paraditen e kësaj të hëne, banorët e tre fshatrave Kalivac, Llëngë dhe Gur i Bardhë në Pogradec bllokuan aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, në dalje të fshatit Kalivaç.

Për rreth 10 minuta ata penguan qarkullimin e dhjetëra mjeteve në të dyja krahët.

Gjatë protestës pati përplasje verbale midis banorëve dhe drejtuesve të automjeteve.

“Ore jam për në Tiranë, jam me të sëmurë!”, tha një shofer.

Banorët protestojnë pasi njoftuar nga ARRSH-ja se brenda pak ditës do të mbyllet rruga ekzistuese që lidh fshatrat e tyre me aksin nacional Qukës-Qafë Plloçë.

Ata theksojnë se rruga alternative që u  është propozuar nga ARRSH shton më shumë se 2 km distancë dhe është e amortizuar, e pakalueshme për mjetet e vogla.

“Të vijë Bashkia këtu, merrini të vijnë këtu, për atë punë i votuam. Të më vijë mbesa mua këtu, me çfarë ta marrë unë atë, se nuk kaloj dot. Le të vijnë këtu ata, për ça i votuam, le të vinin këtu. Të vijnë të na ndihmojnë ne këtu, njerëz jemi ne dhe njerëz janë ata”, tha një banor.

“Duam të drejtën tonë” theksoi një banore tjetër.

Gjatë protestës ka ndërhyrë Ilia Muço, administrator i njësisë Trebinjë, i cili ka garantuar se rruga hyrëse do të qëndrojë e hapur derisa ARRSH-ja të marrë vendim përfundimtar.

“Qukës–Qafë Plloçë” ka kushtuar 240 milionë USD dhe u hap zyrtarisht 5 shtator. Ky aks nacional 43-km është një ndër investimet më të rëndësishme të qeverisë që lidh qendrën me juglindjen e vendit e mandej shtetet fqinjve Greqi e Maqedoni e Veriut.