U kallëzua se kërcënoi me prishje
banesash, Mziu: Urdhri nga Rama

U kallëzua se kërcënoi me prishje<br />banesash, Mziu: Urdhri nga Rama
Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, ka reaguar pas kallëzimit penal që policia ka ngritur ndaj tij.
 
Një ditë më parë, Mziu kërcënoi gjatë një takimi me zgjedhës të Kamzës, se nëse banorët nuk heqin flamujt e PS dhe LSI nga çatitë, ai do iu prishte shtëpitë.
 
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, Mziu akuzon kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar policinë ta ndjekë atë penalisht, nga frika e humbjes së zgjedhjeve.
 
Mziu sqaron sërish se deklarata e tij ka qenë keqkuptim dhe e shkëputur nga konteksti.
 
Reagimi i plotë i Mziut:
Frika nga humbja e radhës, më dërrmuese se e paraardhësja në Kamëz, ka bërë që Policia e Shtetit të kallëzojë kryetarin e Bashkisë së Kamzës më urdhër të Kryeministrit. Kallëzimi vjen për një deklaratë rreth ndërtimeve pa leje që po lulëzojnë nën mburojën qeveritare, deklaratë të cilën Xhelal Mziu e sqaroi publikisht për opinionin publik, duke kërkuar ndjesë për keqkuptimin dhe duke pohuar se fjala e tij ishte keqpërdorur dhe ishte interpretuar politikisht sipas oreksit elektoral të qeverisë.  
 
I kujtojmë Edi Ramës që e parandien humbjen dhe përmes këtij urdhri politik kërkon të bëjë presion se, sikurse më tani, ndëshkimi edhe më i ashpër e pret më 25 qershor përmes votës.
 
Kamza dhe Paskuqani do të votojnë në plebishit kundër Edi Ramës për persekutimin politik dhe krahinor që ky Kryeministër e ka shfaqur dhe u ka bërë banorëve të kësaj zone.
 
 Do të votojë kundër Edi Ramës, për papunësinë, varfërinë e ulur këmbëkryq në mjaft familje, për qindra e qindra familjarë të burgosur padrejtësisht për energjinë elektrike, mijëra të tjerë për faturat e fryra padrejtësisht si dhe për rritjen e çmimit të energjisë.
 
Do të votohet kundër Ramës edhe për faktin se mjaft familje janë burgosur padrejtësisht për vënien e një tulle apo një tjegulle! Vota kundër kësaj qeverie do të jetë edhe për faktin se në 4 vite, zero fonde ka akorduar për Bashkinë Kamëz, fonde që do të shkonin për projekte që do të ndikonin në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të majtë dhe të djathtë.
 
Në sirtarët e qeverisë flenë mbi 135 projekte të Bashkisë Kamëz në fusha të ndryshme, si: rrugë, ujësjellës, shkolla, çerdhe, kopshte, treg, rivitalizimin urban etj., por që Rama as ka denjuar të kthejë përgjigje dhe jo të akordojë fonde. 
 
Kallëzimi ndaj Xhelal Mziut nuk ka se si të mos jetë një hakmarrje, ku Kamza nën drejtimin tij ka ndryshuar rrënjësisht me qindra kilometra rrugë të shtruara, rrjet kanalizimesh, ujësjellës, 18 objekte arsimore dhe të ndërtuara dhe të tjera të rikonstruktuara, pallat kulture, objekte sportive etj.
 
Garantojmë Ramën se më 25 qershor e pret një humbje e thellë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kërkohen persona me rrezikshmëri të lartë

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kërkohen persona me rrezikshmëri të lartë