Violinisti shqiptar Beng Bakalli është dënuar me 3 vite burg në Francë, 1 me liri me kusht dhe me 1.1 milion euro gjobë për trafik kokaine.

Gjykata Penale e Nicës e dha vendimin më 9 tetor për babain e katër fëmijëve. Gjoba korrespondon me vlerën e ngarkesës së 38.3 kilogramëve kokainë që iu sekuestruan në arrestimin e tij në gusht të këtij viti. Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vjet burg.

Violinisti, i cili ishte anëtar me kohë të pjesshme i Orkestrës Simfonike të Bourgogne-Franche-Comté, u ndalua pranë kufirit franko-italian më 10 gusht.

Doganierët kontrolluan një automjet Citroën C5 Aircross, të drejtuar nga Bakalli në pikën e pagesës së tarifës rrugore në La Turbie, në autostradën A8, në departamentin Alpes-Maritimes. Poshtë tapetit të dyshemesë së makinës, ata zbuluan një sasi të madhe droge, konkretisht 38,33 kilogramë kokainë, me një vlerë që, nëse shitej në treg, do të kalonte një milion euro.

Por kjo nuk ishte e gjitha. Ndërsa muzikanti ndodhej në paraburgim në Nicë, hetuesit kontrolluan banesën e tij në Besançon, ku gjetën 90.000 euro, si dhe katër armë zjarri të kategorive B dhe C dhe një sasi të madhe municionesh.

Lidhur me shumën e madhe të parave të gatshme, i dyshuari kishte deklaruar se ato ishin një dhuratë nga babai i tij, Hassan Bakalli, gjithashtu violinist. Ndërsa për armët dhe municionet, ai kishte shpjeguar se merrej me qitje sportive.

Më herët, Bakalli, i cili nuk rezulton se ka precedent penalë, tha se kontratën e kishte siguruar përmes disa të njohurve gjatë një udhëtimi në Shqipëri, kundrejt një pagese prej 20.000 eurosh.

“Nuk arrij ta shpjegoj se si përfundova në këtë situatë”, deklaroi ai gjatë marrjes në pyetje.

Beng Bakalli, 45 vjeç, i lindur në Shqipëri dhe i vendosur në Francë që prej vitit 1991, është violinist profesionist. Ai ka studiuar në disa konservatorë në Francë, në Lion, Dijon dhe Besançon, dhe është anëtar me kohë të pjesshme i Orkestrës Simfonike Victor-Hugo Bourgogne-Franche-Comté (OVH).

Në kohën kur ndodhën ngjarjet, drejtuesit e orkestrës kishin theksuar se “arrestimi nuk kishte ndodhur gjatë angazhimeve të tij me OVH-në” dhe se “nga 71 muzikantët që përbëjnë orkestrën, 30 janë anëtarë të përhershëm, ndërsa 41 të tjerët punojnë me angazhime të përkohshme. Ai bën pjesë në kategorinë e dytë”.

Nga ana e saj, Bashkia e Besançonit kishte deklaruar në atë kohë se bëhej fjalë për “veprimin e një individi të vetëm, i cili nuk duhet të ngatërrohet me Orkestrën Victor Hugo”.