Konflikti në distancë mes moderatores së RTSH-së, Hygerta Sako dhe trajnerit të Vllaznisë, Edi Martini, ka bërë që ky i fundit të largohet nga transmetimi direkt në intervistën pas ndeshjes së barazuar 1-1 në Tiranë kundër Dinamos, e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.

'Inati' mes dyshes duket se daton pesë vite më parë, me Sakon që thotë se Martinit i ka mbetur qejfi që nuk u zgjodh 'Trajneri më i mirë' i atij sezoni në emisionin sportiv ku ajo vijon të jetë moderatore.

Ditët e fundit 'konflikti' u rikthye në skenë pas fitores së Vllaznisë 0-2 kundër Partizanit. Pas ndeshjes, trajneri Martini 'thumboi' moderatoren në intervistën pas ndeshjes, duke i thënë që 'mos mërzitej', teksa Sako njihet si një mbështetëse e Partizanit. Pas këtij momenti, siç shpjegon Vllaznia në një deklaratë publike, moderatorja e 'Supergol' në RTSH ka përdorur fjalën 'i paedukatë' për trajnerin shkodran gjatë mungesës së tij, gjë që solli edhe reagimin e Martinit për një kërkim ndjese pas ndeshjes së fundit.

Në mungesë të ndjesës, Martini u ndal vetëm disa sekonda para kameras dhe më pas u largua në shenjë proteste.

"Klubi i Futbollit Vllaznia dënon me forcë deklaratat e papranueshme dhe gjuhën fyese të përdorur nga moderatorja e RTSH, Hygerta Sako, në emisionin “Supergol”, ndaj trajnerit të ekipit tonë, Edi Martini. Etiketimi i trajnerit tonë si “i paedukatë”, i bërë publikisht dhe në mungesë të tij në studio, përbën një mungesë të theksuar profesionalizmi, etike dhe respekti minimal ndaj një figure të rëndësishme të futbollit shqiptar.

Në vijim të kësaj situate, dhe për shkak të mungesës së një kërkim faljeje nga ana e znj. Sako, trajneri ynë ka zgjedhur të ndërpresë dhe të braktisë intervistën, si një reagim i drejtë ndaj këtij trajtimi të papranueshëm", shkruan Vllaznia.

Sako ka reaguar duke thënë se Martini ka një inat të vjetër karshi saj që prej vitit 2021, duke i quajtur fyese fjalët e tij.

'Nuk doja kurrsesi të prononcohesha, por duke parë deklaratat aspak etike dhe fyese ndaj meje, e ndjej të nevojshme të sqaroj jo vetëm publikun, por edhe tifozët e Vllaznisë dhe presidencën e saj. E gjithë kjo situatë buron nga një inat personal i Edi Martini ndaj meje, që daton që në vitin 2021, kur si RTSH Sport organizonim eventin “Më të Mirët e Vitit”. Në një votim transparent nga 7 specialistë të studiove televizive ndër ta emra të nderuar si Shkëlqim Muça, Sulejman Starova, Astrit Hafizi, Redi Jupi etj", thotë mes të tjerash Sako, duke vijuar se Martini nuk i kursen ofendimet ndaj saj.


Lajmi kryesor:

Kupa e Shqipërisë/ Finalistët mësohen në aktin e kthimit, Dinamo barazon 1-1 me Vllazninë! Barazim 1-1 edhe mes Egnatias e AF Elbasanit