Kamer Qaka zyrtarizoi dje largimin nga Shkëndija e Tetovës, mirëpo mesfushori 30-vjeçar nuk ka humbur kohë për të gjetur ekipin e ri. Tirana në Superligë ka gjetur një akord paraprak me mesfushorin energjik, kjo edhe falë punës së drejtorit sportiv Omer Bunjaku, i cili është njohës i mirë i futbollit në Maqedoninë e Veriut.
I lindur në Pejë, Qaka ka karrierë të pasur në Norvegji ku është aktivizuar me klube si Raufoss, Honefoss apo edhe Sarpsborg. Ai ka luajtur gjithashtu me Poli Iasi dhe Steauan e Bukureshtit në Rumani dhe Mezokovesd në Hungari.
Vitet e fundit ai i ka kaluar te Shkëndija e Tetovës në dy periudha, ndërsa ka gjetur akordin me Tiranën. Pritet që Qaka të jetë afrimi i gjashtë për bardheblutë brenda pak ditëve, me janarin që ka sjellë një revolucion te Tirana, kjo pasi klubi më i titulluar në vend vuan pozitën e fundit në Superligë.
Redon Xhixha, Emmanuel Ernest, Patrik Myslovic, Johan Enrique Cortes Alfaro dhe Freddy Antonio Alvarez Rodriguez janë afrimet e Tiranës këtë merkato janari, ndërsa bardheblutë kanë shkëputur kontratat me dhjetë futbollistë.
Komente










