Sara Brugnatelli, 26-vjeçarja italiane që vdiq së bashku me bashkëshortin dhe një të mitur në aksidentin tragjik në Durrës iu krye autopsia një ditë më parë te Trauma.
Megjithatë dërgimi i trupit të saj drejt vendit fqinj mbetet ende një situatë e pazgjidhur për familjarët e viktimës. Një i afërm i saj thotë se trupi do dërgohet javën tjetër, të martën apo të mërkurën.
"Na është thënë se trupi do të mbërrijë në Itali javën tjetër, ndoshta të martën ose të mërkurën, por ende nuk kemi një datë të saktë. Është një pritje e mundimshme për familjen. Po përpiqemi të kuptojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadës dhe avokatëve”, shprehet kushëriri i saj.
Ai thotë më tej se babai i 26-vjeçares është i shkatërruar.
"Babi është i shkatërruar. Po përpiqemi ta mbajmë larg lajmeve, nuk duam t'ia shtojmë vuajtjet. I gjithë komuniteti i Zocco-s është pranë familjes, së bashku me shumë miq. Ajo ishte si një motër për mua, ishte shumë bujare. Një humbje e madhe", shton ai.
Kleo Vrioni dhe bashkëshortja e tij italiane, Sara Brugnatelli, humbën jetën në një aksident tragjik në Manëz të Durrësit, bashkë me 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri një ditë më parë. Aksidenti ndodhi rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore në Manëz. Të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në Maminas.
Report Tv siguroi videon e momentit kur BMW humb kontrollin në një kthesë del në anë të rrugës duke ngritur një re pluhuri dhe më pas përplaset me një mur betoni, duke u përmbysur. Trajektorja e makinës dallohet kryesisht nga dritat e automjetit. Në momentin e fundit, duket sikur Kleo Vrioni frenon, por nuk është aq e qartë; gjithçka zhvillohet në pak sekonda.
Automjeti po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë, dyshohet nga 115 deri në 130 km/orë, para se të përplasej me një bordurë dhe të përmbysej. Paraprakisht dyshohet gjithashtu se 25-vjeçari mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit, por policia ende nuk ka një përfundim zyrtar të ekspertizës.









Komente
Komento