ELBASAN - Një ditë pas aksidentit të rëndë në fabrikën e çimentos në Elbasan, ku për pasojë humbi jetën një punëtor dhe u plagos një tjetër, policia ka arrestuar teknikun dhe menaxherin e fabrikës. Policia ka zbardhur edhe shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë ku shkelja e rregullave teknike gjatë ushtrimit të detyrës ka rezultuar fatale për 56-vjeçarin.
Fabrika bëri dje me faj punonjësin që humbi jetën, por policia dhe inspektoriati po hetojnë kushtet e sigurisë në punë brenda fabrikës së çimentos. Policia ka arrestuar ditën e sotme teknikun e ndërtimit Gëzim Jaçellari dhe menaxherin Gëzim Spaho, 66 vjeç, të dy banues në Elbasan. Ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë V. J., 54 vjeç, banues në Elbasan, (inxhinier) dhe M.S., 52 vjeç, banues në Elbasan, (përgjegjës turni).
Njoftimi i Policisë:
Specilalistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasit:
• Gëzim Jaçellari, 65 vjeç , banues Elbasn ,(teknik ndërtimi)
• Gëzim Spaho, 66 vjeç, banues në Elbasan, (menaxher në departamentin e shpërndarjes pranë Fabrikës së Çimentos).
Si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë dhe dy shtetas, konkretisht:
• V. J., 54 vjeç, banues në Elbasan, ( inxhinjer)
• M.S., 52 vjeç, banues në Elbasan, (përgjegjës turni).
Arrestimi dhe proçedimi ndaj këtyre shtetasve u bë për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë" të parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal, për arsye se këta shtetas nuk kam zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi M.S., 56 vjeç, banues në fshatin Ulem, Elbasan si dhe është plagosur shtetasi T.M., 65 vjeç, banues në lagjen Qemal Stafa , Elbasan, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.