Është nxjerrë nga Liqeni i Ulzës pas 2 ditë kërkimesh trupi i pajetë i Armando Zajsit, qytetarit nga Laçi i cili humbi jetën dy ditë më parë, më 15 qershor, teksa po levizte me një mjet lundrues.
Zajsi ndërroi jetë pasi mjeti lundrues (motor uji) me të cilin ai po lundronte, u përmbys. Burime për Report Tv bëjnë me dije se trupi i tij është pikasur nga dronët e ujit në thellësinë 37 metër dhe është nxjerrë nga polumbarët e forcave RENEA.
Në operacion janë angazhuar forca të shumta nga struktura të ndryshme shtetërore dhe vendore, përfshirë Forcat e Armatosura, Forcën Detare, RENEA-n, Policinë e Shtetit, Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, Mbrojtjen Civile, si dhe dhjetëra vullnetarë nga zona dhe më gjerë.
Ekipet e polumbarëve kanë kryer zhytje të vazhdueshme në thellësitë e liqenit, ndërsa paralelisht janë zhvilluar kërkime intensive në sipërfaqen e ujit me mjete lundruese dhe dronë.
Në terren janë angazhuar mbi 120 efektivë dhe vullnetarë, të mbështetur nga disa mjete lundruese, autoambulancë dhe pajisje të specializuara kërkimi.
Njoftimi i Policisë:
Mat-Në vijim të informacionit paraprak që ka të bëjë me ngjarjen e datës 15.06.2026, të ndodhur në Liqenin e Ulzës, ku shtetasi A. Z., 37 vjeç, banues në Laç, dyshohet se u mbyt pasi humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe ra në ujë, ju informojmë se:
Pas dy ditësh kërkime intensive, rreth orës 20:00 të ditës së sotme, shërbimet e njësisë së polumbarëve të RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Forcat e Armatosura, Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, forca vullnetare dhe familjarë, bënë të mundur gjetjen, nxjerrjen nga liqeni dhe identifikimin e trupit të pajetë të shtetasit A. Z.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e veprimeve dhe ekspertizës mjekoligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente








