Ndonëse kishte kërkuar prej kohësh përballjen me të, për marrjen e pandehur nga SPAK për Tunelin e Llogarasë, Partia Demokratike surprizoi, dhe në vend të kërkesës së llogarisë, braktisi sallën e Kuvendit në kohën kur zv.kryeministrja Belinda Balluku doli të fliste për herë të parë mbi akuzat e drejtësisë për të.  Të vetmit që mbetën në sallë ishin opozitarët e partive të vogla.

Edhe pse po hetohet, Balluku tha se nuk do ta sulmojë drejtësinë dhe do presë fjalën e fundit mbi hetimet për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë.

“Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje dhe as kërcënime për drejtësinë e re edhe kur prekem personalisht. As lëvdata e himne pasi besoj thellësisht se kjo drejtësi e re e dalë nga reforma, produkt i vullnetit të PS dhe Ramës, është duke kryer misionin për të cilin u reformua, patjetër me pikat e saj të dobëta e të forta, por si gjithçka e re konsolidohet dita ditës. S’do më dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon. Nuk do të prononcohem kurrë për çështje në hetim pasi kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë cilado qoftë ajo. Por unë si kolegët e mi të PS mbështesim reformën në drejtësi dhe produktet e saj, edhe kur prekemi personalisht, pasi ndryshe nga sa thoni e mendohet, PS është formacioni politik serioz”, tha Balluku.

Akuzoi opozitën se kur SPAK heton nga radhët e socialistëve, ngre flamurin e triumfit, ndërsa kur heton Sali Berishën i fshihet drejtësisë dhe e akuzon si të kapur nga Edi Rama.

“I vetmi në Shqipëri, ku fjala e secilit dëgjohet dhe ka peshë. Ajo reformë ka marrë mbështetjen se çdo socialisti, ndaj në respekt të plotë të misionit të saj nuk kam asnjë koment. Çështja qëndron se ju të nderuar opozitarë që më ndiqni nga kafja e parlamentit tani, keni dy standarte sa i përket reformës dhe SPAK. Kur SPAK thërret Saliun dhe lozni kukafshehti me zarfin, i cili është zarfi që pret 15 vite populli shqiptar për drejtësi, për vrasjen shtetërore në 21 janar, atëherë SPAK ndikohet nga Edi Rama. Kur SPAK thërret Sali Berishën dhe e mban në arrest shtëpie për ditë e muaj dhe më pas kur sot është i pandehur GJKKO për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, atëhera Edi Rama e ndikon SPAK. Por, kur sipas jush, kur merret me maxhorancës, bëheni martirët e drejtësisë, britma dhe klithma e saj. Deputetë opozitarë detyra e opozitës është oferta politike e saj ndryshe nga e maxhorancës. Rotacionin që kaq shumë e doni s’mund ta bazoni me pathos se kë do të kapë SPAK nga maxhoranca. Jeni kthyer në një tifozeri sedentare, që i lutet zotit aman t’i heqë SPAK këta që të vijnë ne. Por rotacioni bëhet me votë dhe jo lutje e  duartrokitje. PS është e vetmja parti që ka ofertë për vendin. Ju keni emrin PD por me demokracinë brenda partisë nuk keni lidhje, për të qenë pranë faraonit Sali duhet të jesh humbës, dhe të mos kesh shtyllë kurrizore, të jesh kameleon politik që ndryshon ngjyrë dhe formë. Është normale që për ju të bëni këtë lloj opozite. Nuk është se nuk na vjen për shtat, por jo, edhe ne do të dëshiron opozitë më të mirë, opozitë që s’e ka luftën personale me askënd, por ideologjike. Ja që s’e kemi këtë mundësi, unë e kam të qartë pse jam nën një sulm personal që ka kohë që më ka nisur. Ju nuk e falni as suksesin politik dhe as suksesin që punon, por as ata që dallojnë as brenda rradhëve tuaja. Ju nuk falni 8 humbje në 12 vitet e fundit dhe ju përmes sulmeve personale për secilin prej nesh mbuloni dështimin tuaj”, shtoi ajo.

Sulmeve të opozitës, i gjen një arsye: “E kam të qartë pse jam në një sulm personal, sepse ju nuk i falni ata që kanë sukses. Ju keni ngritur të vdekurit nga varri e i keni sjellë në foltore.”

Në mungesë të kolegëve demokratë, zhurmuesin në sallë e bënte herë pas here deputeti i partisë Mundësia Agron Shehaj i cili po ashtu e kishte kërkuar disa herë përballjen në interpelancë me Ballukun.

Përballja me Ballukun i kushtoi përjashtimin nga seanca.

Demokratët u rikthyen në seancë vetëm pasi ajo u ndërpre për pak minuta dhe pasi zv kryeministrja u largua. “Mendoj të mos kthehet më, por të japë dorëheqjen...”, tha Kapri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:49
VIDEO E PLOTË/ Ja përballja e parë e Belinda Ballukut në Kuvend pasi u mor e pandehur nga SPAK

Për herë të parë, pas marrjes si e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë, zëvendës kryeministrja Belinda Balluku u përball me deputetët në Kuvend.

Demokratët, që e kishin kërkuar më herët në seancë, braktisën sallën pasi ajo mori fjalën në Foltore, nga ku tha se nuk do të bëjë asnjë sulm ndaj drejtësisë së re, edhe pse është e prekur vetë personalisht.

Diskutimin e vijoi me deputetin Agron Shehaj, i cili i kujtoi se është e pandehur. Në replika, kryetari i Kuvendit i tërhoqi disa herë vëmendjen dhe më pas e përjashtoi nga salla. Fjala e Ballukut u ndërpre për shkak të debatit me Shehajn, dhe u largua nga salla pasi kreu i grupit të PS kërkoi ndërprerjen e seancës për 5 minuta. Në video mund të ndiqni përballjen e plotë të numrit dy të qeverisë në Kuvend.

Ora 14:43
Shehaj u përjashtua pas përplasjes me Ballukun, Bardhi në Kuvend: Jashtë duhet të dilnin ata që duartrokasin korrupsionin e zv.kryeministres

1763560146_gazmentbardhi.JPG

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha pas përjashtimit të Agron Shehajt nga salla pas përplasjes me Belinda Ballukun, se maxhoranca po shkel vazhdimisht rregulloren duke përjashtuar vazhdimisht deputetët. Ai tha se jashtë duhet të dilnin ata që në vend që të ndëshkojnë korrupsonin e Ballukut, e duatrokasin atë. 

“Ju e keni kthyer në normalitet faktin që përjashtoni deputetë nga seanca. Kjo është salla ku deputetët ushtrojnë detyrën e tyre. Si rregull, po të ishit në lartësinë e detyrës, do të duhej të kishit nxjerrë nga salla kolegët që, në vend që të ndëshkojnë korrupsionin e Belinda Ballukut, e duartrokasin atë, duke i inkurajuar secilit prej ministrave që të bëjnë korrupsion.

Këta duhet të kishin dalë jashtë. Inkurajojnë një person që ka vjedhur 50 milionë euro vetëm me një firmë. Vijnë në sallë jo për të përfaqësuar interesin e qytetarëve, por për të duartrokitur një të pandehur për korrupsion. Është e turpshme që një koleg që reagon ndaj kësaj sjelljeje përjashtohet. Ky është turpi juaj, Kryetar!”, tha Bardhi. 

Ora 13:27
Agron Shehaj përjashtohet nga salla, Balluku: Ngele si soprano, fol si burrë! Balla kërkon 5 minuta pushim për largimin e deputetit

 

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi përjashtoi nga salla e parlamentit deputetin Agron Shehaj, i cili në momentin që zv.kryeministrja Belinda Balluku mori fjalën, ai ka ndërhyrë duke e penguar që të flasë.

Shehaj i është drejtuar Ballukut duke i thënë se është një turp referuar statusit të saj si e pandehur nga SPAK e akuzuar për shpërdorim të fondeve publike, ndërsa Balluku i tha se ai do të mbetet gjithmonë një pronar call center-ash që nuk paguan dot as sigurimet shoqërore.

“Nuk do bëhesh dot politikan. Do mbetesh një pronar i vogël i call centar-ve që nuk paguan dot sigurimet shoqërore. Nuk bëhesh dot politikan po nuk dole në fushëbetejë. I paguan ato djem dhe vajza me një rrogë më të vogël se minimalja. Ngele si soprano, flit si burrë”, tha Balluku drejtuar Shehajt.

Në këto momente ndërhyri dhe Taulant Balla, duke  kërkuar 5 minuta pushim për t’i dhënë kohë deputet që të largohet nga salla.

Ora 13:13
Belinda Balluku merr fjalën në foltore, demokratët braktisin sallën

 

Deputetët e Partisë Demokratike në shenjë proteste, braktisën sallën sapo në foltore doli zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Opozitarët refuzuan që të dëgjonin Ballukun të flasë për projektbuxhetin dhe menjëherë u larguan nga salla e Kuvendit. Në sallën e parlamentit qëndruan Agron Shehaj,  Ana Dajko, Mesila Doda, Erald Kapri, Redi Muçi.

Xh.D/I.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?