PD kërkon interpelancë urgjente në Kuvend me zëvendës kryeministren Belinda Ballluku, pasi u mor e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Në shkresën e firmosur nga 7 deputetë, kërkohet që zv. kryeministrja, njkëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, të japë shpjegime lidhur me procedurën e prokurimit publik.
Në shkresë, PD thekson shkeljet e kryera gjatë procedurës së prokurimit që njëherë u zhvillua më 11.12. 2020 dhe pas anulimit u rihap sërish më 22.06.2021 me një fond limit rreth 190 milionë eurosh.
“Sipas dokumentacionit zyrtar dhe burimeve të hapura të informacionit rezulton se fillimisht për këtë procedurë prokurimi publik ishte shpallur fitues operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion”, me ofertë 140 milionë euro. Por, pas anullimit të kësaj procedure, është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ekonomik “INTEKAR – ASL”, me ofertë 190 milionë euro. Megjithatë, punimet janë kryer sërish me nënkontraktim nga shoqëria “Gjoka Konstruksion”, duke i sjellë Buxhetit të Shtetit një dëm të pajustifikuar prej 50 milionë euro.
Në këto kushte, me qëllim dhënien e shpjegimeve dhe informacioneve lidhur me sa më lart, në mbështetje të nenit 80, pika 1, të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 97, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e një interpelance urgjente me Zëvëndëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku” – thuhet në kërkesën e depozituar nga deputetët e PD.
Të pandehur për këtë dosje janë marrë në total 6 persona. Balluku u thirr mesditën e së premtes në SPAK, ku iu komunikua edhe akuza e shkeljes së barazisë në tendera. Sot iu komunikua e njëjta akuza edhe pesë të tjerëve, kreut të ARRSH-së Gentian Gjyli, ish kreut të këtij institucioni Ervis Berberi, aktualisht në qeli, Erald Elezit që aktualisht është drejtor i KESH, Jetmira Dervishit si dhe Mirzeta Kashicës. Këta dy të fundit janë marrë të pandehura në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Fillimisht, tenderi u hap më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021, por u anulua më 19 prill 2021 pasi asnjë ofertë nuk u shpall e suksesshme, megjithëse kompania “Gjoka Konstruksion” kishte ofruar çmimin më të ulët prej rreth 140 milionë euro. Gara u rishpall më 22 qershor 2021 me fond limit 190 milionë euro pa TVSH dhe u fitua nga dy kompani turke, Intecar dhe Asl, me ofertë prej 170 milionë euro plus TVSH. SPAK dyshon se ministrja Balluku dhe Gjyli kanë ndikuar në mënyrë të padrejtë në procesin e prokurimit, duke favorizuar fituesit e rinj pas anulimit të tenderit fillestar. Nënkontraktore e punimeve ishte “Gjoka Konstruksion”, që sipas PD, i ka sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej 50 milionë euro.


Komente











