TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar sot akuzën ‘Shkelje e barazisë në tendera’ 5 të pandehurve të tjerë të përfshirë në dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Të pandehur janë Gentian Gjyli kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ish-drejtori i ARRSH-së Ervis Berberi, i cili është i arrestuar për në tjetër çështje, drejtori aktual i OSHEE-së Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).

Gjyli, i icli u paraqit sot në SPAK, preferoi të mos japë asnjë koment para mediave dhe nuk iu përgjigj as pyetjes nëse është marrë i pandehur, fakt ky që Report Tv e konfirmoi me burime nga Prokuroria e Posaçme.

A iu komunikua akuzë?

Avokati: Jo.

Për tunelin e Llogarasë ishit?

Avokati: Po.

Ish-kreu i ARRSH, Berberi është aktualisht në qeli dhe në pritje të gjykimit për akuzat e shkeljeve në tendera katër herë, korrupsion pasiv në 6 raste dhe pastrim parash. Berberi akuzohet se ka fituar miliona euro si pronar faktik i një kompanie me emrin “DAAM shpk, të cilës i ka dhënë një numër të konsiderueshëm tenderash me vlera të mëdha, mes tyre tenderin 2 milionë euro për mbikëqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë. 

Shkeljet me tenderin për Tunelin e Llogarasë

Hetimi i SPAK ka të bëjë me projektin e madh për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, pjesë e rrugës Orikum Himarë, që është një seksion i autostradës Vlorë -Sarandë. Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit. Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulëta, ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro.

E njëjta garë u shpall 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi I dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 170 mln euro plus TVSH.

SPAK dyshon se Balluku dhe Gjyli kanë kryer veprime që mund të kenë ndikuar në mënyrë të padrejtë në këtë proces prokurimi, pasi tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë. 

Tuneli i Llogarasë është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, dhe hetimi i SPAK lidhet me mënyrën se si është zhvilluar dhe menaxhuar procedura e tenderit për ndërtimin e tij. Përpos hetimit për tunelin e LLogarasë, SPAK po heton edhe tenderë të tjera që përfshijnë Ministrinë e Drejtuar nga Balluku. Gatë deklarimit në Parlament, kreu I SPAK, Altin Dumani pohoi se nën hetim është dhe Aeroporti i Vlorës, ndërsa kanë nisur verifikimet paraprake dhe për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar.

"Në vijim të njoftimit të mëparshëm të  publikuar më 31.10.2025, në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.136 të vitit 2025,  Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur akuza në ngarkim të pandehurve të tjerë; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurve; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë të bëjnë me veprimet e tyre në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit, i rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë  e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë  e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.

Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale, Evis Berberi – Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi – Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli – Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë", thuhet në njoftimin e SPAK.

1762164850_evisberberieraldelezi.jpg

 

Evis Berberi dhe Erald Elezi