Gjirokastër-Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll në banesën e Dhimitër Meçit në Gjirokastër, i cili u ndalua dy ditë më parë në Greqi si vrasës me pagesë. Policia finalizoi operacionin policor të koduar “Provat”, në bashkëpunim me Policinë Greke, duke zbuluar dhe sekuestruar një arsenali armësh zjarri dhe municioni luftarak.
Gjatë kontrolleve në banesat e disa personave shqiptarë të dyshuar si vrasës me pagesë në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, u sekuestruan 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.
Një pjesë e armëve dhe municionit u gjetën në banesën e shtetasit 45-vjeçar Dhimitër Meçi, i ndaluar më parë në Greqi.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
'Finalizohet operacioni policor i koduar "Provat". Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke çoi në zbulimin dhe sekuestrimin të një arsenali armësh zjarri dhe municioni luftarak.
Sekuestrohen 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra. Armët dhe municioni luftarak u gjetën në një nga banesat e një prej të arrestuarve në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë.
Në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke, pas shkëmbimit të informacionit për kapjen e disa shtetasve shqiptarë në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Provat", zhvilluan kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.
Si rezultat i kontrollit në fshatin Labovë e Kryqit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër gjetën të fshehura, në banesën e shtetasit Dh. M., 45 vjeç, 2 kallashnikovë dhe një armë zjarri automatike, të dyshuar të trafikuar dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Armët e zjarrit, që u gjetën në banesën e 45-vjeçarit, i ndaluar 2 ditë më parë në Greqi, mbi akuza për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal që posedonte armë zjarri, do të dërgohen tek Instituti i Policisë Shkencore për ekspertim teknik.
Me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasve shqiptarë Dh. M., 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; A. B., 32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; F. P., 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe P. Th., 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, ato të DVP Gjirokastër, Vlorë e Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet e thelluara duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në prangat e policisë greke më 9 dhjetor ranë Dhimitër Meci, 45 vjeç, Andrea Brokeri, Fatjon Prendi, ndërsa në kërkim është shpallur Petro Theohari. Ata dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur në Athinë më 16 maj 2025, kur ndaj automjetit të blinduar të 41-vjecarit grek Jani Lala, u qëllua rreth 50 herë me automatik, por pa mundur ta vrasin e as ta plagosin. Personi që ka shkrepur këmbëzën, dyshohet të jetë Dhimitër Meci, një person i akuzuar për disja vrasje me pagesë në Greqi.
Komente












