Gjyqtari Shkëlqim Miri, i cili u ndalua nga policia për shpërdorim detyre dhe korrupsion, rrezikon të vuajë deri në katër vite burg. Bazuar në Nenin 319, ku flitet për korrupsionin aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, gjyqtari Miri rrezikon dënimin me burg nga një vit deri në katër vjet, si dhe gjobë nga katërqind mijë deri në dy milionë lekë.

“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtari, prokurorit ose çdo punonjësi tjetër të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga një vit deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në dy milionë lekë”, thuhet në Nenin 319.

Gjyqtari u ndalua me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku gjatë kontrollit në banesë policia i gjeti një sasi prej 30 milionë lekësh (të reja). Miri është gjyqtar i Apelit në Tiranë, ish-anëtar i KLD, dhe është përfshirë në ndryshimin e një akuze nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje. Për ndalimin e tij është njoftuar dhe KLD, prej ku pritet të vendoset nëse do të jepet apo autorizimi për arrestimin e tij.

kodi penal per gjyqtarin

d.c./shqiptarja.com