Mereme Sela ka ankimuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë vendimin e pushimit të ankimimit të saj nga Gjykata e Shkallës së parë, ku ajo kundërshtonte zhvillimin e procesit zgjedhor brenda PD-së (zgjedhjet për kryetarin e partisë të mbajtura në maj) dhe ka paditur ish-kryeministrin Sali Berisha lidhur me këtë çështje.
Më herët, në 14 maj, ajo ankimoi në Apelin e Tiranës, vendimin e marrë fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë për t’i kthyer mbrapsht padinë ku kërkonte pezullimin e zgjedhjeve, moslejimin e Berishës për të kandiduar dhe kthimin e saj në garën për kryetar.
Pasi Apeli ia ktheu çështjen për rishqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë, kjo e fundit vendosi pushimin e çështjes, me argumentin se objekti i shqyrtimit ishte i njëjtë. Ka qenë ky vendim që Sela e ka ankumuar në Gjykatën e Apelit.
Mereme Sela, me profesion mjeke, kërkoi të bëhej pjesë e garës për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike. Aplikimi i saj u pranua, ndryshe nga Ervin Salianji, Alesia Balliu dhe Evi Kokalari, por nuk u legjitimua me argumentin se nuk plotësonte kriteret bazë.
Në këtë moment, Mereme iu drejtua dyerve të gjykatës duke mos hequr dorë nga zgjedhjet e 23 majit, ku i vetmi kandidat në garë ishte Sali Berisha.
Komente











