28-vjeçari Erion Vishkulli, i cili u dëmtua dje në syrin e majtë gjatë protestës së dhunshme, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale gjatë mbrëmjes së djeshme në Spitalin e Traumës.

Lajmin e bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë, e cila njoftoi se sot do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar me një ekip të përbashkët specialistësh nga Spitali Universitar i Traumës dhe QSUT, për të përcaktuar vijimësinë e trajtimit.

Burime për Report Tv thonë se i riu pritet të dërgohet për trajtim të specializuar jashtë vendit. Vishkulli pritet se gjatë pasdites të transportohet në Romë te Italisë, për mjekim më te specializuar. Pritet të ketë edhe një deklaratë zyrtare nga Spitali i Traumës për këtë çështje. Ndërkohë burime nga bluzat e bardha shtuan se ka shumë punë përpara deri në rikuperimin e gjendjes dhe aktualisht nuk mund të thuhet a e ka humbur shikimin në njërin sy, sepse duhet pritur 48-orë nga ndërhyrja e parë.

I riu Vishkulli dyshohet se u plagos gjatë protestës me plumb gome të gjuajtur nga efektivët e Policisë, por kjo gjë ende nuk është e konfirmuar, ndërkohë që hetimet vijojnë. Pas dëmtimit në Sheshin Skënderbej, Vishkulli u dërgua në Spitalin e Traumës me automjetin e Report TV.