17-vjeçari i cili u plagos me armë zjarri në kokë në 24 maj në Tiranë nga 19-vjeçari Rigels Sylaj, ka ndërruar jetë ditën e sotme në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në zonën e Kthesës së Kamzës, 17-vjeçari i plagosur u transportua në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ai luftoi gjatë këtyre ditëve me vdekjen, por fatkeqësisht nuk ka arritur t’i mbijetojë plagës së marrë në kokë.

Ngjarja ndodhi në ambientet e një banese ku ishin mbledhur një grup djemsh. Dyshohet se 19-vjeçari Rigels Sylaj po u tregonte një armë zjarri pa leje shokëve të tij, kur arma është shkrepur duke plagosur në kokë 17-vjeçarin.

Fillimisht, të rinjtë kishin deklaruar se kishin dëgjuar të shtëna nga jashtë dhe e kishin gjetur 17-vjeçarin të plagosur në oborr, por më pas kanë pranuar se incidenti kishte ndodhur brenda banesës.

Ndërkohë grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.