Onard Memlika, 35-vjeçari i cili mbeti i plagosur me thikë tre ditë më parë në Durrës, pasi ndërhyu në konfliktin e babait me të bijën, ndodhet në Spitalin Universitar të Traumës.

Burime brenda spitalit thonë për Report TV, se i riu po merr trajtim më të specializuar, dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën. 35 vjeçari ndodhet i shtruar në shërbimin e ORL-së.

Ngjarja ndodhi më 26 janar, ku 24-vjeçarja Xhesika Ndoj u godit disa herë me thikë nga babai i saj, Mikel Ndoj. Autori fillimisht u largua nga vendngjarja, por arratia zgjati pak orë dhe ra në prangat e policisë.

24-vjeçarja ishte nisur për punë, si çdo ditë kur para agjencisë imobiliare ku punonte gjeti të atin që e priste prej disa minutash.

Koleget, jashtë kamerës thanë se ata debatuan ashpër, në rrugë përpara agjencisë. Në debat e sipër, 56-vjeçari ka nxjerr thikën duke goditur barbarisht të bijën.

Qytetari, Onard Memlika, i cili po kalonte rastësisht në rrugë ndërhyri për ta shpëtuar por mbeti gjithashtu i plagosur.

Sipas burimeve, Mikel Ndoj ishte kthyer prej disa ditësh në vendlindje me qëllimin për t’u bashkuar me familjen por ka hasur në kundërshtinë e vajzës, djalit dhe ish-bashkëshortes. Refuzimi, besohet se e çoi atë drejt aktit ekstrem ndaj së bijës, të cilën e la te gjakosur në rruge. Xhesika, e cila ende vuante pasojat psikologjike të një fëmijërie të shoqëruar nga dhuna, u përball me tmerrin më të madh sot, atë të goditjes me thikë nga i ati.