Pa u mbushur 24 orë nga shoqërimi i ish-anëtarit të Bandës së Durrësit, Policia e Tiranës ka liruar Endrit Doklen, por këtë herë pa një njoftim zyrtar siç bëri me ndalimin e tij. Mbrëmjen e së shtunës, policia nëpërmjet njoftimit zyrtar deklaroi se e kishte shoqëruar Doklen pasi në mjetin ku ai udhëtonte ndodhej edhe 32-vjeçari me në kërkim me iniciale F.M identifikuar si Fatjon Murati. Për E.D 39 vjeç, Endrit Dokle dhe G.R 39 vjeç Gentian Reçi policia sqaroi se po vijojnë veprimet hetimore. ReportTv u interesua pranë Policisë së Tiranës lidhur me Lirimin e Dokles, nga ku na u shpjegua se pas veprimeve hetimore të konsultuara edhe me Prokurorinë e Tiranës “është vendosur lënia e lirë e dy shtetasve Endrit Dokle dhe Gentian Reçit, Ky i fundit drejtonte automjetin që është sekuestruar nga policia dhe rezultonte në pronësi të një shtetasi bullgari. Ndërkohë është lënë në burg Fatjon Murati, i cili ishte pasagjer në makinë.

Ende mbetet e paqartë lidhja e Dokles me Fatjon Murati, i cili prej korrikut kërkohej nga Policia e Tiranës pas dyshimeve se dispononte një bazë armësh në zonën e Liqenit të Thatë. Dokle është shoqëruar në polici edhe më herët pas atentatit me tre viktima në Fushë Krujë dhe zhdukjes së Ervis Martinajt, por në deklarimet e tij ai ka mohuar të ketë lidhje me krimin apo konflikte me Martinaj.

Emri i Dokles u përfshi në skedarët e policisë pas rrëfimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani i cili ka dëshmuar se Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro për të vrarë Doklen.

Kush është Fatjon Murati?
Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, ku tre persona mbetën të vrarë, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit. Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje atentatin dhe më pas është lënë i lirë. Po për këtë ngjarje ka qenë i kërkuar për t'u marrë në pyetjet edhe Gentian Reçi. 

Në masakrën e Fushë-Krujës mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha, të cilët u qëlluan me rreth 60 plumba kallashnikovi në makinën Volksëagen Passat, me të cilën po lëviznin drejt Laçit. Nga breshëria e plumbave makina mori flakë dhe për pasojë prej tyre u shkrumbuan. Vetëm Vata mundi të dalë nga makina, por agresorët u rikthyen sërish dhe u siguruan të vdiste. Viktimat ishin me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, pjesëtarë te grupit kriminal të Ervis Martinajt. 

Kush është Indrit Dokle?
Indrit Dokle ka qenë drejtues i bandës së Durrësit, ndërsa është liruar nga burgu në janar të vitit 2020. Dokle njihet për armiqësinë e tij me Ervis Martinaj, pasi ky i fundit ka qenë i gatshëm të paguajë 500 mijë euro për ekzekutimin e Dokles. Ky detaj ka dalë nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili i kishte marrë 100 mijë euro parapagesë Martinajt për të vrarë Doklen, por ky objektiv nuk u arrit kurrë. Ndërkohë, më parë Dokle është marrë në pyetje edhe për zhdukjen e Ervis Martinaj, pasi babai i Martinaj kishte deklaruar në Polici se dyshonin se Dokle kishte gisht në zhdukjen e Martinaj.