Një burrë me fytyrën e mbuluar me maskë të zezë u pa gjatë funeralit të udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke nxitur spekulime se ai mund të ishte pasardhësi i tij, Mojtaba Khamenei, i cili përflitet si lideri i ri suprem i vendit.
Personi u shfaq në rreshtin e parë të ceremonisë mortore, duke ndihmuar në zhvillimin e riteve fetare. Ai mbante një kapelë bejsbolli dhe një maskë të zezë që i mbulonte fytyrën, çka bëri që pamjet të qarkullonin me shpejtësi në rrjetet sociale dhe të ngjallnin shumë aludime.
Megjithatë, sipas medias Iran International, burri i maskuar nuk ishte Mojtaba Khamenei, por Mohammad Javad Khamenei, nipi më i madh i Ali Khameneit.
Raporti thekson se Javad Khamenei pësoi djegie të rënda në fytyrë gjatë sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite të 28 shkurtit, sulme në të cilat mbeti i vrarë Ali Khamenei. Sipas raportimeve, edhe Mojtaba Khamenei u plagos rëndë dhe u shpërfytyrua gjatë të njëjtit sulm.
Mohammad Javad Khamenei është djali i Mostafa Khameneit, djalit të madh të Ali Khameneit dhe konsiderohet pjesë e brezit të ri të familjes së liderit iranian.
Ali Khamenei u varros të enjten pas një ceremonie mortore gjashtëditore, e cila, sipas mediave shtetërore iraniane, mblodhi deri në 43 milionë pjesëmarrës në të gjithë vendin.
Ndërkohë, Mojtaba Khamenei publikoi të shtunën një mesazh në platformën Telegram, ku u zotua se do të hakmerret për vrasjen e të atit, duke lënë të kuptohet se tensionet në rajon mbeten të larta.
Komente







