Një marrëveshje etike e firmosur më 17 mars 2026 nga kandidati për ambasador të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, përshkruan masat që ai do të ndërmarrë për të shmangur konfliktet e interesit gjatë ushtrimit të detyrës.

Dokumenti përcakton se Wendt nuk do të marrë pjesë në vendimmarrje që lidhen drejtpërdrejt me interesa financiare personale apo të personave të lidhur me të, përfshirë familjarët dhe organizatat ku ai mund të ketë rol. Në raste të tilla, ai parashikon të tërhiqet nga procesi vendimmarrës ose të kërkojë autorizime sipas legjislacionit përkatës amerikan.

Në tekst theksohet gjithashtu se ekziston një mundësi më e lartë për konflikt interesi në lidhje me kompani që operojnë në Shqipëri, pasi këto subjekte mund të kërkojnë kontakt ose asistencë nga ambasada dhe të ndikohen nga politikat e saj.

Si pjesë e angazhimeve, Wendt deklaron se do të shesë aksionet e tij në Tesla, Inc. brenda 90 ditëve nga konfirmimi, si dhe do të monitorojë investimet e tij për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen. Dokumenti parashikon gjithashtu kufizime në përfshirjen e tij në çështje që lidhen me institucionin ku është e punësuar bashkëshortja.

Marrëveshja është hartuar në përputhje me kërkesat ligjore të Shtetet e Bashkuara të Amerikës për transparencë dhe etikë në emërimet publike dhe pritet të publikohet nga autoritetet përkatëse pas përfundimit të procesit të konfirmimit.

Më 13 prill Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, propozoi emërimin e gjenerallejtënantit në pension Eric Wendt si ambasador i ri amerikan në Shqipëri. Gjatë më shumë se 34 viteve shërbim aktiv, ai ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka drejtuar organizata me deri në mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional.

Ai ka punuar për Departamentin Amerikan të Shtetit për dy vjet si pjesë e rëndësishme e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, ku drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, dhe raportonte drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.  Nominimi i Wendt duhet të kalojë në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe aprovimin final e jep Senati.

Shqipëria nuk ka një ambasador të SHBA-së që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023. Një nominim i mëparshëm nga Joe Biden për David Kostelancik nuk u miratua nga Senati. Aktualisht, ambasada amerikane në Tiranë drejtohet nga e ngarkuara me punë Nancy VanHorn.