U qëllua me thikë një javë më parë nga nipi i tij, ndërron jetë në spitalin e Traumës 80-vjeçari Shaban Agaj. Ngjarja ndodhi në datën 12 tetor në zonën e Freskut në Tiranë, ditën kur i moshuari kishte ditëlindjen. Pas gjashtë ditësh trajtimi intensiv në reanimacion, Agaj shfaqi komplikacione shëndetësore të martën, për shkak të plagëve të rënda të shkaktuara nga 19-vjeçari Beniamin Kaso. 

Policia arrestoi menjëherë pas ngjarjes autorin e krimit, i cili tashmë do akuzohet për "vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare". Sipas policisë, Kaso njihet si person problematik në zonë, kryesisht për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike. Madje, burimet thanë se nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë nën efektin e drogës, kur ka goditur me thikë prindërit e nënës së tij.

Beniamin Kaso jetonte me të ëmën në Gjermani, që pas divorcit të prindërve të tij, por herë pas here shkonte edhe te gjyshërit, që jetonin te rruga “Muhamet Deliu”, ku ndodhi ngjarja. Rreth orës 13:00, ai ka debatuar ashpër me gjyshërit në apartamentin ku ata banonin, për shkak se ata nuk i jepnin paratë e dërguara nga e ëma nga Gjermania. Ai qëlloi me thikë dy gjyshërit e tij, Shaban dhe Hajrie Agaj. Kjo e fundit mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com