Një vajzë 13-vjeçare, e raportuar e zhdukur në Shkodër, është gjetur në Tiranë pas disa ditësh kërkimesh. Ishte nëna e saj që denoncoi në polici largimin e vajzës. E mitura jetonte me nënën, ndërsa babai i saj ndodhet në burg.

Sipas burimeve nga hetimi, të paktën katër persona janë arrestuar dhe disa të tjerë janë në kërkim, pasi dyshohet se kanë abuzuar seksualisht me të miturën. Hetuesit po verifikojnë lëvizjet e vajzës, e cila dyshohet se pas largimit nga shkolla në Shkodër ka udhëtuar në disa qytete të vendit.

Në kërkime u angazhuan Policia e Shkodrës dhe drejtori të tjera vendore, në bashkëpunim me prokurorinë dhe me asistencën e Ambasadës së SHBA-së.

E mitura po merr kujdes mjekësor dhe mbështetje psikologjike në një qendër sociale. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.